Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër pas lajmit për emërimin e Perlat Çullhajt në një post të rëndësishëm brenda Ministrisë së Brendshme, duke e cilësuar këtë si provë të qartë se “narkoshteti” po dikton të gjithë strukturën e shtetit shqiptar.
Në një deklaratë publike, Berisha ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur drejtpërdrejt me promovimin e figurave të përfshira në trafiqe dhe krim të organizuar. “Perlat Çullhaj, një emër i njohur për lidhjet me trafikun e drogës, bashkëpunëtor i Saimir Tahirit dhe arkitekt i kanabizimit të vendit, është emëruar tashmë në drejtimin e analizës shkencore pranë Ministrisë së Rendit”, – deklaroi Berisha.
Sipas tij, Çullhaj është shkarkuar nga Policia e Shtetit në vitin 2010 për bashkëpunim me trafikun e drogës, për prishje të provave dhe veprime të tjera penale. Ai e akuzon këtë të fundit si personin përgjegjës për një impiant masiv të kanabisit në Manskuri, ku janë zhdukur mbi 12 ton drogë dhe janë liruar dhjetëra të arrestuar.
Berisha nuk kurseu as ironinë ndaj kryeministrit Rama, të cilin e akuzon për “uzurpim të kërkimit shkencor”, pas vendimit për të emëruar veten kryetar të Këshillit Kombëtar Shkencor. “Rama ndaloi për vite me radhë doktoraturat me justifikimin se vendi ishte ‘atdheu i plagjiaturës’. Tani vetëshpallet kryetar i kërkimit shkencor, ndërkohë që emëron në sektorin shkencor të rendit njerëz të akuzuar për trafik droge. Aq sa ka të bëjë Rama me shkencën, ka edhe Çullhaj me analizën shkencore të provave në laborator”, – ironizoi Berisha.
Ai e cilësoi këtë emërim si “mbisundim të karteleve të drogës” në strukturat e shtetit dhe shtoi se kjo vjen pas valës së emërimeve të personave me precedentë penalë në pozicione kyçe në ministri.



