Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat e forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se pas projekteve të mëdha urbanistike dhe ekonomike në vend fshihet drejtpërdrejt kreu i qeverisë. Sipas Berishës, emrat e bizneseve apo individëve të përfshirë janë të parëndësishëm, pasi vendimmarrja dhe përgjegjësia, sipas tij, mbajnë vetëm një emër: Edi Rama.
“Të gjitha këto janë marrë nga vendimet e Edi Ramës me firmën e tij. Emrat janë gjëja më e parëndësishme,” u shpreh Berisha, duke theksuar se përdorimi i prestanomeve dhe kompanive offshore shërben vetëm për të fshehur autorin real të vendimeve.
Në deklaratën e tij, Berisha u ndal edhe te projekti i quajtur prej tij “Everesti i Tiranës”, një kullë 120-katëshe në qendër të kryeqytetit, për të cilën tha se vendimi është marrë gjatë një takimi në Aruba, ku sipas tij ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisë dhe persona të lidhur me interesa të mëdha financiare.
Sipas Berishës, biznesmenit të përfshirë në projekt i është kërkuar të ndërtojë kullën, pavarësisht se ai nuk kishte interes për një investim të tillë. Ai pretendon se biznesmeni është ngarkuar me detyra konkrete, përfshirë negocimin me pronarët e disa objekteve pranë ish-Disko Albania, në zonën pas Pallatit të Kulturës, ku disa prej tyre nuk kishin pranuar çmimet e ofruara nga qeveria.
“Nëse nuk e pranonin ofertën, nuk do të merrej më ai, por dikush tjetër. Ai tjetri ishte banda,” deklaroi Berisha, duke shtuar se biznesmeni duhej gjithashtu të gjente një ortak dhe të dorëzonte projektin në një studio të caktuar nga vetë Rama, e cila do të përfitonte përqindjen e saj.
Berisha theksoi se pas këtyre projekteve qëndrojnë interesa ndërkombëtare dhe financiare, të cilat sipas tij vijnë nga jashtë vendit, ndërsa emrat konkretë përdoren vetëm si mbulesë.
Ai solli si shembuj edhe raste të tjera, duke përmendur Portin e Vlorës dhe çështje që lidhen me kriptomonedhat, ku sipas tij janë përdorur individë pa peshë reale ekonomike, ndërkohë që vendimmarrja e vërtetë mbetet e fshehur.
“Mos u merrni me prestanomet. Të gjithë kanë një emër dhe ai është Edi Rama,” theksoi kreu i PD-së.
Në fund të deklaratës së tij, Berisha e lidhi këtë situatë edhe me Paketën e Maleve, duke pretenduar se ajo është degraduar në atë që ai e quan “paketë e drogës”, ndërsa akuzoi institucionet dhe gjyqësorin për miratimin e vendimeve pa përgjegjësi.
Sipas Berishës, vetëm reagimi i qytetarëve mund të ndryshojë situatën aktuale. Ai bëri thirrje për angazhim dhe guxim qytetar, duke e cilësuar qeverinë aktuale si një regjim që, sipas tij, vjedh në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.



