back to top
17.5 C
Tirana
E shtunë, 25 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaSkandali “Bankers Petroleum”/ Dyshime për rrjet korrupsioni me zyrtarë të lartë

Skandali “Bankers Petroleum”/ Dyshime për rrjet korrupsioni me zyrtarë të lartë

Dosja hetimore ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” është transferuar nga Prokuroria e Fierit në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas zbulimit të elementëve të rinj që lidhen me korrupsionin dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në një skemë të dyshuar mashtrimi fiskal.

Sipas burimeve hetimore, gjatë fazës paraprake janë konstatuar indicie për shkelje të rënda ligjore në deklarimet fiskale të kompanisë, e cila operon prej më shumë se 20 vitesh në zonën naftëmbajtëse Patos-Marinzë.

Ndërkohë, CEO i kompanisë, shtetasi kinez Hongping Xiao, dhe ish-drejtori Leonidha Çobo, të arrestuar në muajin korrik, kanë paraqitur në Gjykatën e Posaçme kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë, duke kërkuar lirimin nga qelia dhe informacion mbi ecurinë e hetimeve dy mujore.

Hetimet ndaj “Bankers Petroleum” nisën pas një kallëzimi nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila konstatoi se kompania kishte shmangur pagesën e taksave përmes deklarimit të vazhdueshëm të humbjeve, pavarësisht volumit të lartë të eksportit të naftës.

Sipas të dhënave të hetimit, në periudhën 2004–2024, kompania ka eksportuar dhe shitur naftë me vlerë rreth 532 miliardë lekë, ndërsa ka deklaruar humbje prej 11.7 miliardë lekësh, duke mos paguar asnjë tatim-fitimi gjatë gjithë kësaj kohe.

Në një reagim zyrtar, “Bankers Petroleum” ka mohuar akuzat, duke theksuar se kompania ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjin dhe është e gatshme të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet shqiptare për zbardhjen e plotë të çështjes.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat