Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish kreun e SPAK, Altin Dumani, duke e cilësuar si “mashtrues ordiner” dhe “i pacipë me formim ekstremist të majtë”, lidhur me qëndrimin e këtij të fundit për vendimin e Gjykatës së Strasburgut mbi arrestimin e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi.
Berisha pretendon se Dumani ka mashtruar publikun kur ka deklaruar se GJEDNJ u “dezinformua” mbi rrethanat e arrestimit të Gëllçit, duke thënë se ai nuk ishte dorëzuar, por ishte arrestuar.
“Në një mashtrim të pacipë, ai u tha shqiptarëve se Strasburgu u dezinformua, sepse Gëllçi nuk u dorëzua. Imagjinoni se çfarë mashtruesi ordiner! Strasburgu nuk vendos mbi mashtrime, por mbi dokumente dhe prova të dyanshme,” deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri përmendi edhe deklaratat e avokatit të Gëllçit, sipas të cilit klienti i tij kishte njoftuar vetë policinë për t’u paraqitur. Berisha theksoi se SPAK, në vend që të pranonte gabimet në trajtimin e çështjes, ka zgjedhur të relativizojë vendimin e Strasburgut, duke i shtuar tensionet mes opozitës dhe institucionit të drejtësisë.
“Në vend që të kërkojë ndjesë publike për masat represive, mashtron shqiptarët sikur Strasburgu ka vendosur mbi një mashtrim. Kjo nuk ndodh kurrë,” – tha ai.
Berisha vuri në dyshim edhe integritetin personal të Dumanit, duke e akuzuar për pasuri të pajustifikuara dhe për lidhje të ngushta me qeverinë.