Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka vendosur të rrëzojë propozimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj prokurores së Korçës, Anjeza Kalanxhi.
Prokurorja Kalanxhi ishte hetuar nga ILD me akuzën për shkelje të dispozitave që rregullojnë funksionimin e prokurorisë dhe shkelje të rregullave të konfidencialitetit, pasi kishte shpërndarë kopje të disa akteve të një dosjeje hetimore. Sipas ILD, ky veprim rrezikonte hetimin dhe “cënonte imazhin e prokurorisë”, duke përfshirë edhe humbjen e besimit të publikut tek organi i akuzës.
Në dosje argumentohej se materialet ishin shpërndarë në disa institucione, përfshirë edhe një ambasadë të huaj.
Nga ana e saj, Kalanxhi i mohoi akuzat, duke theksuar se kishte vepruar pas një përballjeje në gjykatë me një person me rrezikshmëri të lartë dhe se nuk kishte kryer shkelje.
Pas shqyrtimit të çështjes me dyer të mbyllura, Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi se vendosi të mos pranojë kërkesën e ILD-së për ndëshkimin e saj.
Si u justifikua prokurorja?

Në seancën e kaluar përfaqësuesja e ILD-së pretendoi se prokurorja Kalanxhi ka nënshkruar shkresa pa pasur kompetencë, ka nxjerrë dhe dërguar të tretëve kopje të disa akteve pjesë të një dosjeje në proces hetimi, duke shpërfillur autoritetin e titullarit të prokurorisë, cënuar imazhin e zyrës së prokurorisë, ndërsa publikimi i akteve procedurale mbart rrezikun e ardhjes së pasojave në dëm të hetimit dhe, për rrjedhojë, humbjen e besimit të publikut te funksionimi i organit të akuzës.
Nisur nga fakti se kjo konsiderohet shkelja e parë e kryer nga Kalanxhi, si dhe se ajo ka vetëm dy vjet që ushtron funksionin e prokurores, rrethana që ILD i konsideroi si lehtësuese, u kërkua caktimi i masës disiplinore “vërejtje publike” ndaj saj.
Prokurorja Kalanxhi shpjegoi se gjithçka kishte ndodhur si pasojë e deklarimit nga ana e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore gjatë një seance caktimi mase sigurie ndaj tij, se një masë sigurimi e mëparshme që i ishte caktuar do t’i ndryshohej nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të nesërmen, duke e nxjerrë atë nga burgu.
Ajo tha se kjo situatë e kishte indinjuar, megjithëse në interes të këshilltarëve që e pyetën, u përgjigj se nuk ishte ndjerë e intimiduar.
Kalanxhi iu përgjigj pyetjeve të disa prej këshilltarëve, duke shpjeguar se ambasadës së një shteti të huaj në Tiranë ia kishte dërguar një kopje të kësaj shkrese, pasi kjo përfaqësi e huaj u ka qëndruar gjithmonë pranë dhe i ka mbështetur institucionet e drejtësisë në Shqipëri.
Lidhur me nxjerrjen e sekretit hetimor, ajo deklaroi se nuk kishte një vendim të gjykatës për ndalimin e publikimit të akteve që kishin të bënin me caktimin e masës së sigurisë. Kalanxhi argumentoi se këto akte u ishin njohur palëve dhe se ishin kopje të atyre që ishin dërguar në gjykatë.
Në përfundim ajo e cilësoi jo objektive dhe jo proporcionale kërkesën e ILD-së dhe kërkoi që të mos i jepet masë disiplinore./Etleva Skonja