Në lidhje me situatën e ndodhur në Kopshtin Nr. 1, në qytetin e Gramshit Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka deklaruar se pas verifikimeve zyrtare të gjurmueshmërisë për produktin, konfirmon se rezultatet kanë dalë negative te veza.
“Mostrat e marra në subjektin prodhues të vezëve kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp. Gjithashtu nga komunikimi me Shërbimin Veterinar Rajonal pranë AKU është bërë e ditur se ferma e shpendëve është testuar gjatë muajit maj 2025 për Salmonelozë, rezultati i së cilës ka qenë negativ (shpendë të shëndetshëm).
Mostrat e marra në subjektin e furnizuar nga prodhuesi dhe njëkohësisht furnizues i Kopshtit Nr. 1 Gramsh kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp”, thotë AKU.
Ndërkohë thuhet se nga mostrat e marra në subjektin Kopshti Nr. 1 Gramsh rezultojnë me prezencë të Salmonelë spp, por se nuk ka qenë nga veza.
Sipas AKU, “nga këto informacione të marra deri në këto momente mendohet se kontaminimi i vezëve në Kopshtin Nr.1 Gramsh ka ndodhur në ambientet e Kopshtit Nr.1 Gramsh nga faktorë të tjerë jo të ushqimit (jo produkti vezë)”.