Etleva Skonja
Partia Demokratike ka ngritur akuza ndaj presidentit Bajram Begaj, duke e lidhur me shkeljen e pretenduar të nenit 89 të Kushtetutës, i cili përcakton qartë kufizimet e detyrave të presidentit. Por ajo që bie në sy është fakti se PD ka reaguar vetëm pas pothuajse dy vitesh, duke ngjallur pyetje mbi vonesën e opozitës në denoncimin e një shkeljeje të mundshme institucionale.
Sipas të dhënave të pasurisë të deklaruara nga vetë presidenti në ILDKPI, Bajram Begaj nuk rezulton të ketë punuar si mjek nga viti 2024 e këtej, çka do të thotë se gjatë kësaj periudhe ai ka qenë i përqendruar vetëm në detyrën presidenciale.
Neni 89 i Kushtetutës saktëson:
“Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private.”
Bajram Begaj mori detyrën e presidentit më 24 korrik 2022. Fakti që shkelja e mundshme nuk u evidentua dhe nuk u denoncua në kohë reale ngre dyshime mbi monitorimin dhe reagimin e opozitës gjatë pothuajse dy viteve kur aktiviteti i presidentit ka qenë nën vëmendje të publikut.
Ky incident risjell në vëmendje rëndësinë e mbikëqyrjes së institucioneve të larta dhe transparencës së veprimeve të presidentit, duke treguar se shpesh debatet mbi shkeljet kushtetuese shfaqen vetëm me vonesë, dhe jo në momentin kur ato ndodhin.