Një proces gjyqësor me ndjeshmëri të lartë dhe që zhvillohet nën masa të rrepta privatësie po vijon në Gjykatën e Apelit për çështjen e njohur si “Skema Bankers”. Seanca e radhës u mbajt me dyer të mbyllura, ndërsa nuk u pranua as monitorimi nga përfaqësues të ambasadës kineze në Tiranë.
Në këtë fazë, u shqyrtuan kërkesat e 10 të dyshuarve, përfshirë drejtues të lartë dhe punonjës të kompanisë Bankers Petroleum, e cila akuzohet për evazion fiskal në dëm të shtetit shqiptar. Megjithatë, me argumentin se çështja është komplekse dhe kërkon më shumë kohë, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për të mërkurën, ora 10:00.
Hongping Xiao, CEO aktual i Bankers që nga nëntori 2024, kërkoi ndryshim të masës së arrestit të vendosur më parë nga Gjykata e Fierit, duke dorëzuar prova të reja në gjykatë. Po ashtu, Leonidha Çobo, ish-drejtor në kompani, këmbënguli në pafajësinë e tij.
Burime nga brenda seancës, raportojnë se të dy zyrtarët e lartë, si edhe tetë të tjerë me masa më të lehta sigurie, kryesisht auditorë, financierë dhe staf mbështetës, akuzohen se kanë ndërtuar skema për të shmangur detyrimet tatimore ndaj shtetit, përmes fshehjes së të ardhurave, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës.
Prokuroria: Humbje të manipuluara, 1 milion euro bonus në 2016
Sipas Prokurorisë së Fierit, raportimet për humbje janë të pavërteta. Në fakt, vetëm në vitin 2016, kompania i ka shpërblyer drejtuesit e saj me 1 milion euro, çka e bën të pamundur që aktiviteti të ishte me humbje.
Për më tepër, prokuroria thekson se kompania u shit në një transaksion prej mbi 400 milionë dollarësh, fakt që bie ndesh me pretendimin për mungesë fitimi. “Është e pamundur që një aktivitet i tillë në industrinë e naftës të mos ketë fitim dhe të raportojë humbje, ndërkohë që nga mosdeklarimi i saktë i të ardhurave, shteti shqiptar ka humbur miliona euro”, thuhet në dosjen e hetimit.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se gjatë aktivitetit të Bankers Petroleum, janë dëmtuar dhjetëra banesa në zonën e Patos-Marinës. Për këtë, prokuroria ka ngritur dyshime mbi neglizhencën dhe mosraportimin korrekt të impakteve nga kompania.
Aktualisht, katër shtetas të huaj, ish-drejtues të Bankers, tre kinezë dhe një kanadez janë në kërkim, ndërkohë që hetimet përfshijnë edhe transaksione të dyshimta dhe pastrim të fitimeve të padeklaruara.