Qeveria shqiptare ka vendosur datën 27 shkurt 2026 si afat të fundit për dorëzimin e dokumentacionit plotësues për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi 2025. Udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave sqaron se çdo dorëzim pas kësaj date do të skualifikojë aplikantët, përveç dokumentit të lejes së ndërtimit ose miratimit të njoftimit të punimeve për aktivitetet e akuakulturës, të cilat duhet të paraqiten para lidhjes së kontratës.
Skema mbylli aplikimet më 30 shtator 2025, me gjithsej 801 aplikime të regjistruara për nëntë masa mbështetëse që synojnë modernizimin e fermave, rritjen e prodhimit vendas dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.
Financimet më të larta janë parashikuar për ndërtimin e serrave diellore për perime, luleshtrydhe dhe rrush tavoline, përfshirë instalimin e sistemeve të ujitjes, me vlerë financimi nga 40 mijë deri në 150 mijë euro për hektar, ose 50% të vlerës totale të faturave tatimore.
Për investimet në mbjelljet e reja të pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe vreshtave, financimi mund të arrijë deri në 8 mijë euro për hektarë. Për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri, masa e mbështetjes shkon deri në 15 mijë euro/hektarë, ndërsa për sistemet e ujitjes me pika financimi arrin deri në 2,500 euro/ha.
Skema parashikon gjithashtu mbështetje për ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e kafshëve dhe shpendëve, për modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale, për përpunimin dhe paketimin e produkteve bujqësore, si dhe për agroturizmin dhe akuakulturën detare, me fonde që variojnë nga 50 mijë deri në 150 mijë euro për subjekt.
Për të përfituar nga këto masa, aplikantët duhet të mos jenë debitorë ndaj AZHBR-së, MBZHR-së ose Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të kenë shlyer sigurimet shoqërore, të jenë pronarë ose me qira/huapërdorje të tokës për të paktën 5 vite, dhe të kenë lejet përkatëse të ndërtimit sipas ligjit.
Pasi të lidhin kontratën, përfituesit marrin paraprakisht deri në 30% të financimit të kontraktuar, kundrejt garancisë së pagesës nga banka ose shoqëri sigurimi, sipas përcaktimeve të kontratës.



