Nga fillimi i këtij viti ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve përmes bonuseve mujore, ashtu siç ishte njoftuar më herët nga kryeministri Edi Rama. Rritja do të aplikohet çdo muaj dhe do të jetë e diferencuar sipas kategorive të pensionistëve.
Sipas skemës së re, pensionistët në qytet do të përfitojnë një shtesë prej rreth 1.800 lekësh në muaj. Pensionet urbane të pjesshme do të rriten me 800 lekë në muaj, pensionet rurale me 1.000 lekë, pensionet familjare me 700 lekë, ndërsa pensionet e invaliditetit me 600 lekë në muaj.
Kjo skemë, e cila aplikohet për herë të parë, synon të përmbushë angazhimin e qeverisë për ta çuar pensionin minimal në vend në 20 mijë lekë dhe pensionin mesatar urban në 40 mijë lekë.
Po çfarë do të përfitojë konkretisht një pensionist që aktualisht merr 27 mijë lekë në muaj? Sipas projeksioneve, në vitin 2029 ai pritet të përfitojë një pension prej 40 mijë lekësh në muaj. Ndërkohë, për pensionet e dala nga kontributet në fshat, një individ që sot merr 11 mijë lekë, pas katër vitesh pritet të ketë një pension mujor prej 18 mijë lekësh.
Aktualisht, rreth 730 mijë individë përfitojnë nga skema e kontributeve shoqërore, ndërsa çdo vit numrit të pensionistëve i shtohen rreth 15 mijë persona të rinj.
Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se brenda vitit 2026 pritet të ndërmerret një reformë e plotë e skemës së pensioneve, me synim rritjen e qëndrueshmërisë financiare dhe përmirësimin e përfitimeve për pensionistët.



