back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 16 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaSkema e TVSH-së, “kurthi fiskal” që përjashton fermerin dhe përkëdhel importin

Skema e TVSH-së, “kurthi fiskal” që përjashton fermerin dhe përkëdhel importin

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar me tone të forta kritike ndaj qeverisë lidhur me krizën e thelluar që, sipas saj, po kalon bujqësia shqiptare, duke e konsideruar sistemin aktual fiskal si të padrejtë dhe penalizues për fermerët.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku ka vënë theksin te ndikimi negativ i zbatimit të TVSH-së në bujqësi – një politikë që, sipas saj, favorizon importuesit dhe nxjerr nga tregu prodhuesit vendas.

“Diferenca mes TVSH-së në hyrje dhe dalje është kthyer në një ‘super taksë’ që rëndon mbi fermerët shqiptarë. Ndërkohë që importuesit përfitojnë nga skema fiskale aktuale, prodhuesit vendas po dalin nga tregu për shkak të pabarazisë së konkurrencës,” shkruan Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, kjo është një nga arsyet kryesore pse importuesit e mëdhenj zgjedhin të furnizohen nga jashtë, duke mos preferuar prodhimin vendas, i cili përballet me kosto të larta dhe mbështetje minimale nga shteti.

Propozimi i opozitës: TVSH e unifikuar në 6%

Përballë kësaj situate, opozita ka propozuar një masë konkrete: unifikimin e TVSH-së në nivelin 6%, si në hyrje, ashtu edhe në dalje. Sipas Tabakut, një reformë e tillë do të ulte pabarazinë mes fermerit dhe importuesit, do të nxiste formalizimin e sektorit bujqësor dhe do ta bënte atë më konkurrues në treg.

“Nuk mund të flasim për zhvillim rural kur fermeri nuk mbrohet. Formalizimi i bujqësisë fillon nga një sistem tatimor i drejtë dhe i ndershëm për të gjithë,” shton ajo.

Kredia për fermerët, një rrugë pa dalje?

Në reagimin e saj, Tabaku kritikon edhe nismën më të fundit të qeverisë për të nxitur kreditimin në bujqësi, si pjesë e mbështetjes për fermerët.

“Pse duhet të marrë kredi një fermer, kur fondet IPARD janë djegur dhe bujqësia është në krizë? Një në tre produkte sot vjen nga importi! Nëse nuk ka prodhim vendas, çfarë vlerë ka një kredi?” – pyet ajo retorikisht.

Sipas saj, në një klimë të pasigurt dhe të pabarabartë për prodhimin vendas, politika e orientuar drejt kreditimit nuk është zgjidhje, por një shtytje drejt më shumë borxhi për fermerin shqiptar.

Një politikë që favorizon importin dhe braktis fshatin

Në përmbyllje të deklaratës së saj, deputetja Tabaku thekson se bujqësia është kthyer në “viktimë të një politike që favorizon importin dhe ndëshkon prodhimin vendas”. Ajo kërkon politika të qarta zhvillimi, jo masa të fragmentuara apo të përdorura për propagandë sezonale.

Reagimi i saj vjen në një moment kur sektori i bujqësisë po përballet me sfida të shumëfishta: mungesë subvencionesh efektive, probleme në zinxhirin e tregtimit të produkteve vendase, dhe mungesë të infrastrukturës mbështetëse për fermerët.

Në mungesë të reformave të thella strukturore dhe fiskale, shumë ekspertë të bujqësisë paralajmërojnë se shpopullimi i fshatrave dhe varfëria në zonat rurale do të thellohen më tej, ndërsa Shqipëria do të bëhet gjithnjë e më e varur nga importi për produktet bazë ushqimore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat