Pas disbursimit të këstit të dytë të pagesës në kuadër të Skemës Kombëtare të Bujqësisë dhe Blegtorisë 2025, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur konsultimet për hartimin e paketës mbështetëse për fermerët këtë vit. Me fondet IPARD ende të pezulluara, ekspertët kërkojnë shtim të burimeve në dispozicion të sektorit.
“Sipas një vlerësimi të ministrisë vitin e shkuar, nevojat e sektorit ishin për 100 milionë euro, pa përfshirë agro-përpunuesit. Ne dimë se nevojat janë shumë të mëdha,” tha për A2 CNN Esmeralda Ballesha, eksperte e bujqësisë.
Gjokë Vuksani, pedagog dhe ekspert i sektorit, shtoi se “sasia e parave në dispozicion është shumë e ulët. Përveç naftës falas, pjesa tjetër është 43% më pak se në 2023. Nëse numri i aplikimeve është më i madh, ndarja bëhet proporcionale, pra fermeri me 10 lopë do marrë më pak se ç’ia takon”.
Edhe këtë vit, skema nuk pritet të pësojë shumë ndryshime: ata që kanë lopë do të marrin 10 mijë lekë për krerë, të imëta 1,200 lekë, bletarët 1 mijë lekë, ndërsa kultivuesit e perimeve, luleshtrydheve, rrushit dhe bimëve medicinale do të marrin nga 200 mijë deri 30 mijë lekë për hektarë.
Ekspertët sugjerojnë që skema të përfshijë edhe digjitalizimin dhe teknologjitë e reja, si dhe të adresojë efektet e ndryshimeve klimatike. Ata nënvizojnë gjithashtu nevojën për mekanizma që garantojnë shitjen e prodhimeve të fermerëve, duke theksuar se ndryshe mbështetja bëhet e padobishme.
Qarqet me numrin më të lartë të përfituesve priten të jenë Vlora, Fieri, Korça, Gjirokastra dhe Berati.



