Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar tetë masa sigurie për disa shtetas, lidhur me veprat penale “Falsifikimi i dokumentave” të kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”, të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 180/3 të Kodit Penal.
Hetimet lidhen me procedimin penal nr.4472 të vitit 2025, të kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Seksionin e Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Sipas prokurorisë, shtetasi F.M., administrator i subjektit “CFO Pharma”, ka përdorur dy kompani të tjera, “Pharma Plus” dhe “Medix Albania”, për të paraqitur të dhëna të rreme dhe përfitim financiar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Hetimet tregojnë se me inventarët dhe faturat e falsifikuara, këto kompani kanë mundësuar shitjen e barnave “Foster” dhe “Trimbow”, duke përfituar fonde rimbursimi në shuma të konsiderueshme. Skema u zbulua pas kallëzimit të shtetasit I.Sh., administrator i “Medicamenta”, importues ekskluziv i barnave.
Sipas prokurorisë, distributori “CFO Pharma” dhe zyrtarë të FSDKSH kanë vepruar në bashkëpunim për të krijuar skemë të organizuar për përfitim korruptiv, duke përdorur inventarë fiktivë dhe kontrata të rreme.
Masa të sigurimit të caktuara
-
A.Z. – Ndalim i daljes jashtë shtetit + Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
-
J.B. – Ndalim i daljes jashtë shtetit + Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
-
L.B. – Ndalim i daljes jashtë shtetit + Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
-
F.M. – Arrest në burg (administrator i “CFO Pharma”).
-
S.Z. – Arrest në burg (Drejtor i FSDKSH).
-
Z.M. – Ndalim i daljes jashtë shtetit + Pezullim i ushtrimit të detyrës publike.
-
E.Gj. – Ndalim i daljes jashtë shtetit + Pezullim i ushtrimit të detyrës publike.
-
R.A. – Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Hetimet kanë evidentuar përfshirjen e zyrtarëve të FSDKSH, të cilët kanë miratuar inventarët fiktivë dhe kontratat e këtyre subjekteve, duke lejuar përfitimin e fondeve nga shitjet fiktive të barnave.



