Me konstituimin e Parlamentit të ri dhe zgjedhjen e Niko Peleshit në krye, socialistët kanë nisur përgatitjet për të dhënë drejtim agjendës së tyre politike dhe për të reformuar strukturën e Kuvendit.
Kryeparlamentari i ri, Niko Peleshi, ka ftuar kryetarët e grupeve parlamentare për një takim të hënën, më 15 shtator, në ora 11:00 në kryesinë e Kuvendit, për të diskutuar dhe dorëzuar propozimet për Byronë e Kuvendit, sekretariatet, këshillin e rregullores, mandatet, legjislacionin dhe delegacionet ndërkombëtare.
Porosia e Edi Ramës për reformimin e Kuvendit pritet të vijojë me ndryshime konkrete në strukturën e komisioneve të përhershme kuvendore. Socialistët synojnë rritjen e numrit të tyre nga 8 në 11, një hap që kërkon ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Këshilli i Rregullores dhe Mandateve do të mblidhet të martën për të shqyrtuar dokumentin, ndërsa projekt-vendimi për ndryshimin e komisioneve pritet të kalojë në seancën plenare më 16 shtator, me procedurë të përshpejtuar.
Ndryshimi i strukturës së komisioneve do të ndikojë tek demokratët, të cilët do të humbasin komisionin e Integrimit, i cili do të shkrihet me atë të Jashtëm.
Pasi të mbyllet puna me komisionet, fokusin do ta marrë kabineti i ri Rama 4. Konferenca e kryetarëve, e parashikuar të mërkurën, do të përcaktojë kohën e debatit për qeverinë e re dhe programin e saj në dy seanca maratonë. Më pas, votimi i qeverisë pritet të bëhet të premten, dhe kabineti i ri do të drejtohet te Presidenca për betimin sipas Kushtetutës.