Ishte në qendër të ciklonit për të transferim rekord te Beshiktash, u kthye në çështje në shtëpinë e “shqiponjave”, aq sa klubi turk i nxori në shitje, por situata ka ndryshuar totalisht me uljen në stol të Solskjaer. Tekniku norvegjez jo vetëm që vendosi veton për mos shitjen e talentin kuqezi, por në sytë e tij Muçi është titullar i paprekshëm.
Sulmuesi shqiptar zbriti në fushë nga minuta e parë edhe në Kupën e Turqisë ku ishte protagonist absolut. Muçi gjeti shpejt rrugën e rrjetës, por për fat të keq goli i tij u anulua pasi ishte në pozicion jashtë loje. Në fraksionin e dytë, në minutën e 62-të, me një aksion personal dhe me një ekzekutim plot klas, Muçi dërgoi topin në rrjetë duke i dhuruar avantazhin Beshiktash.
Muçi u zëvendësua në minutën e 72-të duke i lënë vendin Milot Rashicës. Sulmuesi dardan dhuroi një assist në golin e dytë duke hipotekuar kualifikimin e Beshiktash në raundin e dytë të Kupës së Turqisë.