Demokracia funksionale dhe shteti i së drejtës janë bazat e sistemit politik që duam të ndërtojmë. Qytetarët e duan demokracinë, por sa i besojnë asaj?
Tabela e fundit e sondazhit e hartuar nga Isntituti i Studimeve Politike, mbi institucionet është pasqyrë e një shoqërie në tranzicion, të brishtë, të paqartë në objektivat e synimet e saj dhe të dorëzuar para establishmentit politik.
Qytetarët flasin gjithë ditën për partitë politike, shkojnë në mitingjet e tyre, marrin pjesë në parti, paguajnë kuota anëtarësie dhe fati i tyre në jetën e përditshme (vendi i punës, karriera, promovimi, ligjet, vendimmarrjet, taksat, etj.) imponohen nga partitë politike, – por ata nuk i besojnë partive. Pra, nuk i besojnë institucionit de facto më me ndikim në vend dhe në jetën e tyre. Nuk i besojnë as Parlamentit, i cili, me emërtimin që njihet në shkencat politike “tempull i demokracisë”, duhej të ishte në krye të tabelës për besueshmërinë më të lartë. Qytetarët u besojnë më pak komuniteteve fetare sesa kryetarëve të bashkive, megjithëse këta çdo ditë e më shumë po hetohen e arrestohen për korrupsion. Për më tepër, ata i besojnë qeverisë, megjithëse numri dy i saj është në kërkim ndërkombëtar për korrupsion dhe dita-ditës sfidohet nga akuzat për korrupsion e keqqeverisje.
Qytetarët i besojnë SPAK-ut. Po, por SPAK është institucion akuze, jo vendimmarrjeje. Vendimet i merr gjykata dhe të njëjtët nuk i besojnë gjykatës. Që të besosh te drejtësia, duhet t’i besosh njëherësh edhe SPAK-ut edhe gjykatës. Duket se shoqëria jonë e njeh pak konceptin e të drejtës dhe sidomos rrugën e mjetet sesi mund të arrihet drejtësia funksionale.
Besim maksimal te SHBA, BE dhe OSBE? Pas 35 vitesh tranzicion, Shqipëria duhej të kishte institucionet e veta, tek të cilat të besojmë. Nuk i ka, ndaj edhe indirekt ky është një dështim sa i shoqërisë, partive politike, aq edhe i partnerëve ndërkombëtarë që kanë asistuar reformat/tranzicionin.
Sondazhet kanë një vlerë shumë më të rëndësishme sesa komentimi ditor; ato janë pasqyrë ku jemi dhe orientim ku duhet të ndërhyhet për përmirësim. Dhe, siç ISP e thotë vazhdimisht, reforma në legjislacionin e partive politike, financimin dhe funksionimin e tyre (jo)demokratik, reforma në Parlament dhe jetësimin e standardeve të transparencës dhe llogaridhënies së tij, – duhet të jetë prioriteti kryesor afatshkurtër. Ky do të ishte tregues se vendimmarrësit respektojnë qytetarët dhe se dy palët së bashku, pas 35 vitesh, kanë arritur të kuptojnë cilat janë konceptet e vlerat e demokracisë funksionale, integrimit dhe shtetit të së drejtës që u premtuan në 1990/1991.
