Gazetarja Sonila Meço shpreh shqetësimin e saj për pasivitetin e shqiptarëve ndaj qeverisë së re, duke paralajmëruar se ky mungesë reagimi i lejon politikës të shndërrohet në një “show” ku qytetarët janë thjesht spektatorë.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Meço shkruan se shqiptarët nuk pyesin më për të ardhmen dhe nuk kërkojnë ndryshim, ndërsa qeveria e re është parë si një listë emrash, ku kurioziteti i vetëm është të shihet nëse ka dalë ndonjë kushëri apo komshi ministër.
“Troç, unë dua të shoh SHPRESË! Dua njerëz me integritet, fytyra të reja profesionale, që japin llogari dhe që nuk kanë frikë nga transparenca apo kritika. Qeveria që dua nuk është spektakël, por kontratë me qytetarët,” shkruan ajo.
Meço thekson se qeveria duhet të jetë e prekshme në jetën e përditshme, në rrugët që nuk shemben nga shiu, në spitalet që nuk të lënë të vdesësh, në arsim që përmirësohet dhe në çmime që nuk marrin shpirtin e qytetarëve.
Ajo paralajmëron se nëse publiku nuk reagon, “reality show”-ja qeveritare do të vazhdojë pafund, duke sfiduar qytetarët të mos mbeten spektatorë të përjetshëm të një sistemi ku emri i ministres apo ministrit ka më shumë rëndësi se meritokracia dhe profesionalizmi.