back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 3 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomia“Sot në supermarkete nuk gjen produkte shqiptare”/ Tabaku: Politikat e qeverisë po...

“Sot në supermarkete nuk gjen produkte shqiptare”/ Tabaku: Politikat e qeverisë po shkatërrojnë bujqësinë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër qeverinë për situatën e rënduar në sektorin e bujqësisë, duke e cilësuar atë si një ndër sektorët më të diskriminuar dhe më të keqfinancuar.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku ka theksuar se fermerët shqiptarë janë lënë pa mbështetje, ndërsa fondet e IPARD-it, prej 120 milionë eurosh, të siguruara nga Bashkimi Evropian për fermerët, janë devijuar përmes skemave korruptive në favor të oligarkëve.

“ Sot, në vend që të rritet prodhimi vendas, po rritet importi me 20%. Produktet shqiptare nuk shiten dot jashtë, ndërsa në supermarkete nuk gjen më produkte shqiptare. Fermerët janë braktisur nga shteti dhe përballen me rritje taksash, ulje subvencionesh dhe mungesë totale të vëmendjes nga qeveria ,” deklaroi Tabaku.

Deputetja theksoi se qeveria ka orientuar vëmendjen e saj te ndërtimi dhe betonizimi, duke lënë pas dore sektorin e bujqësisë, një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.

Ajo bëri thirrje për një ndryshim të modelit ekonomik dhe mbështetje konkrete për fermerët, përmes rritjes së subvencioneve, uljes së taksave dhe incentivave të reja që mund të sjellin zhvillim dhe rritje të prodhimit vendas.

“ Fermerët nuk kanë nevojë për kredi, kanë nevojë për mbështetje reale! Kjo qeveri duhet të ndalë korrupsionin dhe të investojë aty ku shqiptarët kanë më shumë nevojë, te fshati dhe bujqësia, ” përfundoi Tabaku.

Deklarata:

Ajo që ka ndodhur me ekonominë në këto vite është kriminale. Por ajo që ka ndodhur me bujqësinë është edhe më e rëndë. Sektori i bujqësisë është ndër më të vuajturit në vend. Në pesë vitet e fundit, rritja ka qenë zero dhe në disa qarqe ka pasur edhe rënie ekonomike.

300,000 fermerë që jetojnë në fshat, punojnë çdo ditë me sakrifica dhe mbajnë familjet e tyre me bujqësi, janë diskriminuar, janë keqfinancuar dhe nuk kanë pasur mbështetje nga shteti. Në vend që të ulen taksat dhe të ofrohen subvencione, atyre iu është rritur TVSH-ja. Kjo ka sjellë një situatë ku prodhimi vendas ka rënë, ndërsa importet ushqimore janë rritur me 20%. Sot në supermarkete nuk gjen produkte shqiptare, ndërkohë që fermerët nuk mund t’i eksportojnë produktet e tyre për shkak të zhvlerësimit të euros, që ka bërë produktet shqiptare të pavlefshme jashtë vendit.

Ne kemi një aset të jashtëzakonshëm: bujqësinë, fshatin dhe produktet shqiptare. Por sot, ato janë në prag të shkatërrimit. Pamjet e produkteve të hedhura në rrugë janë bërë normale. Kjo është një panoramë e realitetit të krijuar nga politikat e dështuara të qeverisë.
Edhe fondet e IPARD-it, 120 milionë euro të dhëna nga Bashkimi Evropian për fermerët, janë devijuar përmes skemave korruptive drejt oligarkëve. Këto para, që duhej të ndihmonin fermerët, iu hoqën bujqësisë shqiptare, duke e sjellë sektorin në një situatë katastrofike.

Dhe cila është përgjigjja e qeverisë? Për të hapur një bankë zhvillimi dhe për t’i detyruar fermerët të marrin kredi. Këto para të IPARD-it, që ishin ndihmë e drejtpërdrejtë për fermerët, qeveria po i zëvendëson me kredi. Skemën korruptive nuk e hetojnë, sistemin nuk e ndryshojnë, agjencinë që shpërndan fondet nuk e ristrukturojnë, skemën e taksave nuk e rishikojnë, ndërsa subvencionet për fermerët vazhdojnë të jenë minimale.

Propaganda elektorale dhe masat e përkohshme nuk vlejnë për një bujqësi që sot është në krizë të thellë. Fshati ka nevojë për tre gjëra thelbësore: ndryshimin e modelit ekonomik dhe mbështetjen financiare për bujqësinë; rritjen e subvencioneve për fermerët dhe uljen e taksave në fshat; si dhe krijimin e një modeli ekonomik që e bën punën në fshat të vlejë për fermerët dhe familjet e tyre.

Qeveria ka orientuar vëmendjen te ndërtimi dhe betonizimi, që përfiton vetëm një pakicë. Ndryshimi i këtij modeli ekonomik është i domosdoshëm, në mënyrë që bujqësia të kthehet në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe të garantojë të ardhura për çdo familje shqiptare, ndërsa produktet shqiptare të kthehen në tryezat e konsumatorëve dhe tregjet ndërkombëtare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat