Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se ndaj tij është ngritur një akuzë e re nga SPAK, e cila lidhet me pasuri të paluajtshme. Deklarata u bë gjatë një prononcimi për mediat, pas paraqitjes së tij në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas Berishës, akuza e re ka të bëjë me përfitimin e banesave nga fëmijët e tij në procesin e privatizimit, të cilin ai e cilësoi si një proces të ligjshëm dhe të njëjtë me atë nga i cili kanë përfituar rreth një milion qytetarë shqiptarë.
Berisha tha se SPAK pretendon se, pas zgjedhjes së tij si President i Republikës në vitin 1992, familjarë të tij kanë nisur investime në pasuri të paluajtshme. Ai theksoi se këto pretendime nuk kanë bazë penale dhe janë, sipas tij, të pabazuara dhe alogjike.
Duke iu referuar deklarimeve të pasurisë në ILDKP, Berisha sqaroi se vajza e tij, Argita Malltezi, ka deklaruar për vitin 1993 pronësinë e një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metra katrorë në rrugën “Myzeqari”, të përfituar nga privatizimi, ku ajo zotëronte një të tretën e apartamentit. Ai shtoi se edhe vetë ka deklaruar një apartament banimi 3+1 të privatizuar, në bashkëpronësi me bashkëshorten dhe djalin e tij.
Sipas Berishës, përfitimi i fëmijëve të tij nga privatizimi i banesave është bërë në përputhje me ligjin, i cili parashikonte se fëmijët mbi moshën 18 vjeç kishin të drejtë të përfitonin pjesë takuese.
“Kjo është cilësuar si akuzë për korrupsion nga një prokurori politike. Prokuroria jep konkluzione që nuk kanë lidhje me faktet dhe janë alogjike”, u shpreh Berisha, duke shtuar se familjarët e tij kanë përfituar nga privatizimi i banesave në të njëjtën mënyrë si qytetarë të tjerë shqiptarë.
Ai e cilësoi akuzën e re si një “novitet” në çështjen ndaj tij dhe akuzoi SPAK për veprime të motivuara politikisht.



