Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO dosjen ndaj disa zyrtarëve të Bashkisë Divjakë.
Të pandehur në këtë çështje janë Dorjan Spaho, Sara Xhepa (Doko), Rokled Malko, Fatos Veliu, Vojsava Leccini dhe Elbareta Nishica, kjo e fundit në detyrën e drejtoreshës së Planifikimit të Zhvillimit të Territorit.
Ndaj tyre është ngritur akuza për “shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, çështja lidhet me tre procedura tenderimi të zhvilluara nga Bashkia Divjakë, me një vlerë totale prej rreth 1 milion eurosh. Dyshohet se gjatë këtyre procedurave janë favorizuar subjekte të caktuara, duke cenuar konkurrencën e lirë.
Hetimi ka nisur si pjesë e një fraksioni të shkëputur nga një dosje tjetër, ndërsa tashmë pritet që çështja të shqyrtohet në gjykatë, ku do të vendoset për përgjegjësinë penale të të pandehurve.



