Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshëm Shkëlzen Selimin, i cili ishte akuzuar nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, sipas nenit 257/a/2 të Kodit Penal.
Vendimi u shpall më 7 korrik 2025 nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj. Sipas GJKKO-së, fakti penal për të cilin ishte ngritur akuza nuk provohet të ekzistojë dhe për rrjedhojë, u vendos deklarimi i pafajësisë së Selimit në përputhje me nenin 388 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata vendosi që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore të mbeten siç janë kryer, sipas procesverbaleve përkatëse. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka të drejtë të ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm brenda një afati 15-ditor nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.