Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka bërë të ditur angazhimin e plotë të Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion në luftën kundër korrupsionit, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së institucionit.
“Kushtetuta garanton funksionimin e SPAK dhe realizimin e kompetencave të tij në mënyrë të pavarur,” u shpreh Dumani gjatë një deklarate për mediat. Ai informoi se çdo vit Prokuroria e Posaçme paraqet një raport të detajuar para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa kontrolli gjyqësor mbi hetimet dhe vendimet është një element kyç i procesit.
Dumani nënvizoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, duke përmendur inspektimet tematike dhe verifikimin e ankesave nga qytetarët dhe subjektet. Ai shtoi se përparimi i sistemit të administrimit të çështjeve po ecën dhe pritet të jetë plotësisht funksional deri në fund të vitit.
Në përfundim, kreu i SPAK-theksoi se për të arritur sukses, institucioni duhet të demonstrojë rezultate konkrete, maturi dhe integritet në zbatimin e ligjit.