back to top
12.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaSPAK nënvlerësuar nga institucionet, Policia e ndjeshme ndaj korrupsionit/ BE ngre shqetësime

SPAK nënvlerësuar nga institucionet, Policia e ndjeshme ndaj korrupsionit/ BE ngre shqetësime

Komisioni Europian ka publikuar raportin përfundimtar mbi sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor në Shqipëri, i cili pason draftin konfidencial të dërguar më herët për konsultim autoriteteve shqiptare. Raporti i fundit nuk paraqet ndryshime nga versioni paraprak, duke konfirmuar të njëjtat vlerësime dhe shqetësime për ecurinë e reformave në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

Strategjia kundër korrupsionit pozitive, por jo e mjaftueshme
Komisioni Europian përshëndet miratimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2024–2030, duke e cilësuar një hap pozitiv. Megjithatë, theksohet se ligjërimi për parandalimin e korrupsionit ende ka nevojë për përmirësim.

“Korniza ligjore për të luftuar korrupsionin është gjerësisht e vendosur, por legjislacioni për parandalimin e korrupsionit duhet të plotësohet,” thuhet në raport.

Presione ndaj gjyqësorit dhe nivel i lartë korrupsioni
Raporti nënvizon se qëndrueshmëria e sistemit gjyqësor është përmirësuar, por vazhdon të mbetet shqetësim presioni i padrejtë nga zyrtarë dhe politikanë ndaj drejtësisë.

“Përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor ngrenë shqetësime serioze.”

Sipas Komisionit, perceptimi i korrupsionit në sektorin publik mbetet i lartë, jo vetëm mes qytetarëve, por edhe në gjykimin e drejtuesve të bizneseve dhe ekspertëve vendas.

SPAK, institucion kyç me sfida strukturore
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet SPAK-ut, i cili vlerësohet për rezultatet e tij në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, theksohen disa mangësi organizative:

“SPAK konsolidoi më tej rezultatet e tij pozitive, por mbeten disa mungesa në aspektin e stafit dhe infrastrukturës,” thuhet në raport.

Një tjetër pikë e ndjeshme është rënia e denoncimeve nga institucionet shtetërore, që sipas Komisionit është një tregues negativ që kërkon adresim.

Gjykata Kushtetuese dhe respektimi i vendimeve
Komisioni Europian vlerëson punën e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar funksionimin efektiv të saj. Por vihet në dukje se Parlamenti vijon të mos respektojë disa nga vendimet e saj, duke krijuar pasiguri ligjore për mandatin e anëtarëve dhe autoritetin e institucioneve të drejtësisë.

Policia e Shtetit ende e ndjeshme ndaj korrupsionit
Një tjetër institucion që përmendet në raport është Policia e Shtetit, për të cilën thuhet se mbetet e ekspozuar ndaj korrupsionit, pavarësisht disa përpjekjeve për reformim.

Komisioni përshëndet punën e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Policisë (AMP), e cila ka referuar 463 punonjës policie për ndjekje penale, kryesisht për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.

Komiteti për mirëqeverisjen, nën kritika
Në raport nuk ka munguar as kritika për mënyrën si është ngritur dhe po funksionon Komiteti për Mirëqeverisjen, i drejtuar nga Fatmir Xhafaj. Komisioni Europian ngre shqetësime për transparencën, metodologjinë dhe rrezikun e dublimit të punës me procesin e negociatave.

“Ekzistojnë mangësi në lidhje me punën, transparencën, përfshirjen, si dhe metodologjinë e Komitetit. Është e rëndësishme që puna e tij të jetë në përputhje me rezultatet pozitive të reformës në drejtësi të vitit 2016, duke garantuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë,” përmbyllet në raport.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat