back to top
13.5 C
Tirana
E shtunë, 28 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaHetimet ndaj Ballukut/ SPAK nis zbërthimin e celularëve të njerëzve të ish-zv/kryeministres

Hetimet ndaj Ballukut/ SPAK nis zbërthimin e celularëve të njerëzve të ish-zv/kryeministres

Vetëm pak ditë pasi gjyqtari Erjon Çela pranoi kërkesën e SPAK për ekspertimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara, hetimet kanë hyrë në një fazë të re.

Me urdhër të prokurorit Dritan Prençi, është kërkuar ekspertimi i kompjuterëve, laptopëve dhe telefonave të sekuestruar gjatë periudhës dhjetor 2025 – janar 2026, pranë disa biznesmenëve të ndërtimit dhe zyrtarëve.

Sipas burimeve, pajisjet i janë dorëzuar një grupi ekspertësh kibernetikë të SPAK, të cilët do të kryejnë kopimin dhe analizimin e të dhënave, me qëllim identifikimin e materialeve që mund të shërbejnë si prova në hetim.

Bëhet fjalë për rreth 80 pajisje në total, që u përkasin zyrtarëve të institucioneve shtetërore dhe biznesmenëve të përfshirë në procedurat tenderuese për ndërtimin e Unazës së Madhe në Tiranë dhe Tunelit të Llogarasë në Vlorë.

Vendimi për ekspertimin e këtyre pajisjeve u dha nga GJKKO, në kuadër të hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Balluku po hetohet për dyshime mbi paracaktimin e tenderave me vlera miliona euro, përfshirë projektin e tunelit të Llogarasë dhe 7 lotet e Unazës së Madhe.

Ndërkohë, ajo pret shqyrtimin e rekursit në Gjykata e Lartë lidhur me masën e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit”, si dhe pritet të kundërshtojë edhe vendimin për pezullimin nga ushtrimi i funksioneve.

Pak javë më parë, shumica socialiste në Kuvend refuzoi heqjen e imunitetit të saj si deputete, duke mos i hapur rrugë vendosjes së një mase më të ashpër sigurie nga SPAK.

Hetimet vijojnë, ndërsa ekspertimi i pajisjeve elektronike pritet të sjellë prova të reja mbi këtë çështje të ndjeshme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat