Ish-ministri dhe analisti Ylli Manjani kritikon ashpër qeverisjen e Partisë Socialiste, duke deklaruar se shpenzimi i parave të buxhetit është bllokuar për shkak të frikës nga hetimet e SPAK.
Në një postim në rrjetet sociale, Manjani thekson se qeveria ka pasur fonde të mjaftueshme këtë vit, por nuk ka paguar detyrimet e kontratave publike, gjë që ka rritur borxhin publik, ndërsa paratë mbeten të fjetura në llogaritë e thesarit të shtetit.
“E thënë shkurt, qeveria nuk ka menaxhuar mirë paranë publike dhe investimet e nevojshme për shërbime dhe infrastrukturë,” shkruan Manjani.
Ai kritikon veprimet e SPAK-ut, duke i cilësuar si faktor që ka paralizuar qeverisjen:
“Me sjelljen e tyre – përgjo, procedo, fut në burg pastaj të gjejmë çfarë ke bërë – kanë arritur me ‘sukses’ të paralizojnë qeverisjen në vend. Mandati i drejtuesit të SPAK vlen më shumë se 83 mandate deputetësh dhe e gjithë qeveria së bashku,” shprehet Manjani.
Ai shton se dëmi nga mosshpenzimi i fondeve për shkak të frikës është më i madh se ai që shkaktojnë qeveritë korruptive:
“Nëse kjo quhet qeverisje antikorrupsion, më mirë na ktheni tek ajo e korruptuara. Nuk mund të ketë qeverisje efikase me SPAK që vepron si kobure për t’i frikësuar punonjësit publikë.”
Manjani përfundon duke nënvizuar se qeverisjet e frikës lënë gjurmë të thella në memorien e publikut, duke penguar funksionimin normal të administratës dhe shërbimeve publike.



