Seanca paraprake ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, e parashikuar të mbahej sot, është shtyrë.
Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e avokatit mbrojtës të zonjës Kryemadhi.
Procesi po zhvillohet në kuadër të çështjes penale të ngritur nga SPAK, që akuzon çiftin Meta–Kryemadhi për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash në bashkëpunim.
Kryemadhi: SPAK po shantazhon Metën dhe familjen tonë
Pas daljes nga ambjentet e SPAK, ish-deputetja Monika Kryemadhi bëri një deklaratë të fortë për mediat, duke akuzuar organin e akuzës për “presion politik” ndaj saj dhe familjes Meta.
“Vazhdon hetimi, nëse dosja hetimore do të ishte mbyllur në 27 korrik, Prokuroria vazhdon e heton, thërret dëshmitarë dhe hetimi për Metën, Kryemadhin, mamanë time etj vazhdon. Do të thotë që jemi në hetim paraprak dhe arsyeja është për të mbajtur Metën në burg, mua dhe familjarët nën presion,” – deklaroi Kryemadhi.
Ajo akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani, se “po vepron si ushtar i Yuri Kim”, ish-ambasadores së SHBA në Tiranë.
“Ata që duan ta bëjnë këtë janë ushtarë të bindur të Yuri Kim, edhe pse është në largim e sipër,” – shtoi ajo.



