Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve dhe në atë të Nismave Qytetare, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese.
Dumani u shpreh se, ndonëse bashkëpunimi është i mirë, ka ende shumë për t’u bërë, pasi numri i referimeve dhe kallëzimeve që SPAK merr nga agjencitë ligjzbatuese mbetet i ulët.
“Nuk kemi qenë asnjëherë të nguruar, por të hapur për të bashkëpunuar. Por është fakt që numri i referimeve vazhdon të ngelet i vogël në vlerësimin e SPAK,” deklaroi Dumani.
Ai shtoi se çdo ditë pranohen denoncime anonime përmes faqes zyrtare online të SPAK, ku qytetarët mund të raportojnë shkelje pa pasur nevojë të identifikohen.
“Nuk i kërkojmë domosdoshmërish denoncuesit dokument identifikimi dhe ai ngelet anonim. Mund të jap ndonjë emër që nuk ka lidhje me identitetin real. Ekziston kjo mundësi për të bërë denoncime anonime përmes faqes online,” shpjegoi kreu i SPAK.
Dumani theksoi se rritja e referimeve dhe kallëzimeve nga institucionet ligjzbatuese do të forconte luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar nevojën për më shumë angazhim institucional në këtë drejtim.