Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion njofton se ka vijuar me kryerjen e hetimeve ndaj vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, të cilët akuzohen se drejtojnë një organizatë kriminale në Elbasan, me qëllim evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale.
“Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i një pasurie të paluajtshme e vlera e së cilës është e konsiderueshme”. Bie në sy sekuestrimi i agroturizmit “S.FARM” në Baldushk, në periferi të Tiranës.
Më datë 18.02.2025, në zbatim të vendimit nr. 115, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është vendosur ‘’sekuestro preventive’’ për operatorin ekonomik “S….. FARM” (me aktivitet në fushën e agroturizmit, shërbime akomodimi në struktura hotelerie, bujtinë, shtëpi pushimi, vila, shërbim bar-restorant-kafe etj), si dhe për godinën dhe tokën, në sipërfaqen e të cilës ky operator ekonomik ushtron aktivitetin, konkretisht, pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, Tiranë”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Pasuritë e sekuestruara:
Pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, (pjesë e OE-së “S. FARM”);
Godinë shërbimesh restorant; kati i parë përbëhet nga kuzhina, restoranti, ambienti i restorantit, veranda, etj dhe kati i dytë i përbërë nga dy dhoma, sallon etj.
Oborri (hapsira rreth ndërtesës) në të cilën gjenden tavolina dhe karrige shërbimi, një kënd lojërash për fëmijë, një ambient ku mbahen shpendë të ndryshëm;
Dhomë shërbimi jashtë restorantit;
Sendet dhe orendi, të ndodhura në restorant.
Në po të njëjtën datë, (18.02.2025), në orën 18:45 u procedua nga prokurori me ndalimin e shtetasit P.L., në cilësinë e administratorit të operatorit ekonomik “S. FARM”, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm, në formën e organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287 – 28/1, 333, 334 të Kodit Penal.
Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit P.L., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
Shuma monetare në valutë euro 2940 (dy mijë e nëntëqind e dyzet)
Shuma monetare në monedhë Lekë (ALL), në total 203,000.00 (dyqind e tre mijë)
Orë dore, marka Rolex
1 (një) varëse floriri, me pllakë në dukje me përbërje floriri, pas të cilës është gdhendur data 29.09.2022, ndërsa në pjesën e përparme janë të vendosura dhe 3 (tre) gurë të çmuar, në dukje diamante;
4 (katër) telefona;