Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) publikoi më 9 mars Raportin Vjetor për vitin 2025, ku evidentohen zhvillimet dhe rezultatet kryesore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjatë vitit 2025, SPAK ka hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 raste të reja dhe 577 të mbartura nga viti 2024. Vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arriti rreth 45.4 milionë euro.
Raporti evidenton se hetimet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë vazhdojnë të jenë prioritet: 6 procedime të reja dhe 16 persona nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim, 18 janë dërguar në gjykatë dhe 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, vlerësoi punën e prokurorëve dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke theksuar se rezultatet tregojnë progres, por se sfidat kërkojnë përpjekje të vazhdueshme. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe faktin se “askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë janë të barabartë para tij”.



