Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ashpër reformën në drejtësi dhe funksionimin e Prokurorisë së Posaçme, të cilën e cilësoi si një strukturë që funksionon nën diktatin e kryeministrit Edi Rama dhe në kundërshtim me shtetin e së drejtës.
Në një fjalim përpara Partisë Popullore Europiane, Berisha tha se drejtësia në Shqipëri është kthyer në një mjet kontrolli politik dhe represioni ndaj opozitës.
“Prokuroria e Posaçme sot është identike me atë të periudhës së diktaturës komuniste. Në shkelje të çdo standardi, prokurorët vendosin përgjime mbi gjyqtarët dhe imponojnë vendimet gjyqësore”, tha Berisha.
Ai theksoi se drejtësia e vërtetë është paralizuar, duke sjellë një bllokim masiv të sistemit: “Sot ka 230 mijë dosje në pritje dhe shqiptarët nuk mund të kenë një proces të drejtë. Do duhen të paktën 20 vjet për t’i shqyrtuar”, tha Berisha.
Në të njëjtën linjë, ish-kryeministri akuzoi qeverinë për kapje të sistemit gjyqësor dhe shkelje të ligjeve kushtetuese.
“Kushtetuta nuk respektohet kur nuk i përshtatet vullnetit të kryeministrit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese injorohen. Kur kjo ndodh, nuk kemi më ligj, nuk kemi më shtet të së drejtës”, u shpreh ai.
Berisha e konsideroi reformën në drejtësi një dështim të thellë, të cilën e cilësoi si një “heresí” që nuk guxohet të kritikohet, për shkak të propagandës dhe presionit politik.
“Tre liderë të opozitës janë në arrest ose paraburgim pa asnjë fakt penal. Tani po sulmohet një prokurore që zbaton ligjin dhe jo urdhrat e Ramës”, denoncoi Berisha.
Ai përfundoi duke theksuar se Shqipëria nuk ka rrugë tjetër përveç integrimit në Bashkimin Europian, por theksoi se viti 2030 nuk është një afat realist për anëtarësimin, për sa kohë vazhdon kapja e institucioneve dhe shkelja e parimeve themelore.