Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, është thirrur nga SPAK të hënën, sipas burimeve jozyrtare.
Ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht arsyeja e thirrjes së saj nga prokurori Dritan Premçi, ndërsa deri më tani SPAK nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike mbi çështjen.
Ndërkohë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë vizitës në Berlin, në një prononcim për Deutsche Welle, u shpreh se drejtësia duhet të bëjë punën e vet pa ndërhyrje politike.
“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast. Siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore, politike dhe e mediave që i shërbejnë politikës,” – deklaroi Rama.
SPAK pritet të sqarojë në ditët në vijim arsyet e thirrjes së zv.kryeministres Balluku, ndërsa kjo është një nga çështjet që ka zgjuar interes të lartë publik, për shkak të rolit të saj në qeveri dhe përgjegjësive të lidhura me projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike.



