back to top
14.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaSPAK “zbarkon” në Ministrinë e Infrastrukturës/ 34 kontrolle për dosjen Balluku

SPAK “zbarkon” në Ministrinë e Infrastrukturës/ 34 kontrolle për dosjen Balluku

Janë mbyllur 34 kontrolle të urdhëruara nga SPAK në kuadër të hetimit ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, ku shumica e personave të kontrolluar janë pjesë e stafit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Gazetarja Anila Hoxha bën me dije se, sipas vendimit të gjyqtarit Erjon Çela, në ditët në vijim pritet të zhvillohen edhe rreth 20 kontrolle të tjera, të cilat do të përfshijnë biznesmenë dhe punonjës institucionesh shtetërore.

Kontrollet janë ushtruar gjithashtu në dy kompani ndërtimi, si dhe ndaj punonjësve të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Dy kompanitë ndërtuese rezultojnë të jenë subjekte të njohura për përfitimin e tenderave pranë këtyre institucioneve shtetërore.

Sipas burimeve, aksioni është kryer ekskluzivisht nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pa përfshirjen e Policisë së Shtetit. Të paktën në tre raste, në zona nën juridiksionin e Komisariatit Nr. 3, punonjësit e policisë nuk janë lejuar të marrin pjesë në kontrolle. Në një rast, një efektiv policie është lënë jashtë ambienteve të kontrolluara nga agjentët e BKH-së.

Kontrollet kanë përfshirë jo vetëm ambientet e punës, por edhe banesat e drejtuesve të kompanive ndërtuese, si dhe të familjarëve të tyre. Mes personave të cilëve u janë kontrolluar banesat përmenden Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtoreshë e KESH-it, Gentian Gjyli, ish-drejtor i ARRSH-së, aktualisht i pandehur dhe në arrest shtëpie, Erald Elezi, ish-drejtor i KESH-it, gjithashtu i pandehur dhe në arrest shtëpie, si dhe Sajmir Kuçi, Marsel Hoxha dhe Jonida Çeço.

Kontrollet janë kryer në funksion të vijimit të hetimeve për dosjen penale, ku zyrtarja më e lartë nën akuzë është zv.kryeministrja Belinda Balluku. SPAK i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar dhe dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë ndaj saj.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat