Së paku 15 avionë të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë lënë bazat ushtarake të Rota-s dhe Moron-it në jug të Spanjës që nga sulmet e fundjavës ndaj Iranit, të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli, tregojnë të dhënat e faqes së ndjekjes së fluturimeve FlightRadar24 të hënën.
Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, bëri të ditur se Spanja nuk do të lejojë që bazat e saj ushtarake – të cilat operohen së bashku me SHBA, por mbeten nën sovranitetin spanjoll – të përdoren për sulme ndaj Iranit. Ai theksoi se Madridi e ka dënuar këtë veprim.
Sipas të dhënave të FlightRadar24, të paktën shtatë nga avionët janë identifikuar duke u ulur në bazën ajrore Ramstein në Gjermani.
Edhe Britania e Madhe refuzoi fillimisht lejen për përdorimin e bazave të saj në një sulm ndaj Iranit, por më pas Kryeministri Keir Starmer autorizoi përdorimin e tyre për “mbrojtje kolektive”.
Qëndrimi i Spanjës dhe dënimi i prerë i sulmeve nga Kryeministri Socialist Pedro Sanchez e bëjnë vendin një rast të veçantë në rajon dhe mund të komplikojnë marrëdhëniet me Uashingtonin.
“Bazat spanjolle nuk po përdoren për këtë operacion, dhe nuk do të përdoren për asgjë që nuk përfshihet në marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara ose që nuk është në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara,” tha Albares për transmetuesin spanjoll Telecinco.
Ndërkohë, Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, deklaroi se avionët që përfshijnë kryesisht Boeing KC-135 “Stratotanker” për furnizim me karburant, ishin vendosur përkohësisht në Spanjë. FlightRadar24 tregoi se nëntë avionë u nisën të dielën nga baza ajrore Moron drejt Gjermanisë. Dy fluturime u nisën nga Rota, drejt jugut të Francës, ndërsa katër fluturime të tjera u nisën po nga Rota, por rruga e tyre nuk u regjistrua.



