97% e kredive të marra nga individët në Shqipëri shlyhen rregullisht, duke reflektuar një disiplinë të lartë financiare dhe përmirësim të vazhdueshëm në menaxhimin e detyrimeve bankare. Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i kredive me probleme për individët ka zbritur në 2.9%, nga 3.4% që ishte një vit më parë.
Ky përmirësim i ndjeshëm vjen në një kohë kur pjesa më e madhe e portofolit të individëve është e përqendruar tek kreditë për blerje banesash – një kategori që historikisht ka pasur nivel të lartë përkushtimi në pagesën e kësteve.
Në krahasim me bizneset, individët rezultojnë të kenë rrezik më të ulët kredie, për shkak të huamarrjes më të moderuar dhe ekspozimit më të vogël ndaj faktorëve ekonomikë të jashtëm.
Edhe segmenti i bizneseve ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm, me kreditë me probleme që kanë zbritur në 5.1%, nga 5.7% që ishin një vit më parë. Ndërkohë, për të gjithë sektorin bankar shqiptar, raporti i përgjithshëm i kredive me probleme në fund të vitit 2024 ra në 4.17%, nga 4.74% në fund të vitit të kaluar.
Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron konsiderohet një nga faktorët që ka ndihmuar aftësinë paguese të qytetarëve dhe bizneseve. Për të katërtin vit radhazi, kursi mesatar Euro-Lek ka rënë, duke lehtësuar shlyerjen e kredive të dhëna në valutë për huamarrësit me të ardhura në monedhën vendase.
Në vlerë totale, kreditë me probleme në sistemin bankar shqiptar llogariten në rreth 34.7 miliardë lekë, ose afërsisht 350 milionë euro.