Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka komentuar stërvitjen ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovo, duke theksuar se nuk ka arsye për shqetësim.
Ai u shpreh se Shqipëria i ka të gjitha politikat e sigurisë në përputhje me NATO, duke garantuar se vendi ndjek standardet dhe strategjitë e aleancës më të madhe ushtarake në botë.
Sipas tij, siguria e Kosovës mbetet e garantuar nga prania e KFOR, çka redukton çdo perceptim të rrezikut në rajon.
“Shqipëria i ka politikat e saj të sigurisë në përputhje me NATO-n. E gjithë doktrina dhe përgatitja jonë është e harmonizuar me aleancën, ndërsa siguria e qytetarëve shqiptarë dhe e Kosovës garantohet edhe nga prania e KFOR-it”, deklaroi Nufi.
Ministri shtoi se zhvillimet dhe tensionet që mund të pasqyrohen në media apo në diskursin rajonal trajtohen nga Shqipëria në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë, duke garantuar stabilitet dhe siguri.
Ai nënvizoi se përmbushja e detyrimeve ndaj NATO-s mbetet kyçe për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe në rajon.



