back to top
12.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaSherr në KLP, ndërhyjnë ndërkombëtarët/ Stojani çjerr maskën e kupolës së Prokurorisë

Sherr në KLP, ndërhyjnë ndërkombëtarët/ Stojani çjerr maskën e kupolës së Prokurorisë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u shndërrua sërish në arenë debatesh, teksa përplasja mes anëtarit Sokol Stojani dhe kryetares Mirela Bogdani vijoi me të njëjtat tone të ashpra që u panë edhe ditën e hënë.
Stojani e akuzoi KLP-në se po shndërrohet në një “KLP Travel” për shkak të 15 retreat-eve dhe disa vizitave studimore të përfshira në projekt-buxhet, duke i quajtur ato “ekskursione”.

“Optika ime ishte nëse ne do të bëjmë ekskursione apo punë. Ekskursione quhen 15 copë dhe nja 3-4 vizita studimore nga 4-5 ditë, ta pret mendja”, u shpreh ai.

Bogdani reagoi menjëherë: “Nuk quhen ekskursione ato”. Por replika e saj e nxiti më tej tensionin. “Moj kryetare, unë nuk flas më me ty, se ti ke probleme në të kuptuar”, vijoi Stojani, duke e akuzuar gjithashtu për ushtrim ndikimi mbi administratën.

Përplasja u zhvendos edhe tek çështja e rivlerësimit të një prokurori, ku anëtarja Ledina Riza u ndje e fyer nga fjalët e Stojanit: “Referencat që ju sillni për të gëlltitur dhe ju për ta përtypur mua nuk më duket korrekte”, tha ai.

Riza reagoi e revoltuar: “Asnjë anëtar nuk fyhet gjatë fjalës kur flet në bazë të ligjit dhe rregullores”.
Në këtë moment, kryetarja e KLP vendosi një pushim 5-minutësh për të qetësuar situatën, pasi tensionet e thelluara rrezikonin vijimin e mbledhjes. Edhe gjatë pushimit, Stojani nuk u tërhoq: “Ne nuk flasim me parrulla si në komunizëm. Vetëm në komunizëm ecet me parrulla”.

Pas debateve të ashpra, të zhvilluara në praninë e një përfaqësuesi të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, KLP hodhi shortin për tre anëtarët që do të kryejnë rivlerësimin kalimtar të prokurorit Anton Pali.

Mbledhja e së enjtes shënoi një tjetër përplasje të hapur në institucionin e prokurorisë, duke ekspozuar krisjet e thella mes anëtarëve të tij dhe duke ngritur pikëpyetje mbi klimën e brendshme të punës në një organ kyç të drejtësisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat