Prokuroria Speciale e Kosovës i ka kërkuar të hënën Gjykatës Themelore në Prishtinë të urdhërojë një muaj paraburgim për një burrë të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin e vitit 2023 kundër pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.
I dyshuari, i identifikuar vetëm me inicialet Lj.M., u arrestua të dielën në Zveçan, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Prokuroria tha të hënën se “janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore” që i dyshuari të mbahet në paraburgim për 30 ditë.
Ai dyshohet se ka kryer katër vepra penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar.
“I pandehuri Lj.M., dyshohet se më 29.05.2023, para objektit të komunës së Zveçanit, në bashkëkryerje edhe me të dyshuar të tjerë ka sulmuar me gurë, bombë molotovi dhe armë pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët që kanë raportuar për ngjarjen”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria shtoi se gjatë hetimeve dhe bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, ka gjetur prova materiale, si një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një fanellë me mbishkrim me motive nacionaliste, “me të cilat konfirmohen veprimet inkriminuese e të pandehurit në ditën kritike”.
Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime, disa prej tyre lëndime të rënda, pas përleshjes me protestuesit serbë. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.
Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.
Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë në lidhje me dhunën në Zveçan, ndërsa janë arrestuar dhjetëra të tjerë.
Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.
NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.