back to top
14.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaSulmuan forcat operacionale dhe BKH-në/ Prokuroria dërgon në gjyq tre persona

Sulmuan forcat operacionale dhe BKH-në/ Prokuroria dërgon në gjyq tre persona

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasit K.K., L.K. dhe G.K., të akuzuar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 237/3 dhe 25 të Kodit Penal.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 509 të vitit 2025, në bashkëpunim me policinë gjyqësore. Nga hetimet është provuar se më datë 15 prill 2025, punonjës të policisë pranë Forcës Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, së bashku me një oficer të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndodheshin në qytetin e Fierit me shërbim zyrtar për kryerjen e veprimeve hetimore.

Gjatë ditës, punonjësit e policisë janë ndjekur dhe ndaluar nga të pandehurit, të cilët, pavarësisht se policët janë prezantuar me cilësinë e tyre zyrtare, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ngjarja është regjistruar në qytetin e Fierit dhe ka përfunduar me arrestimin në flagrancë të autorëve.

Të tre të pandehurit janë hetuar me masa sigurie “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, në varësi të rrethanave të secilit prej tyre.

Prokuroria e Fierit thekson se mbetet e angazhuar në mbrojtjen e veprimtarisë së rregullt shtetërore dhe autoritetit të punonjësve të shtetit, duke garantuar ndëshkimin e veprimeve që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat