Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë seancës së sotme plenare po zhvillon një interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Interpelanca fillimisht ishte kërkuar me Kryeministrin Edi Rama, por për shkak të mungesës së tij në Kuvend, procedura iu delegua ministres Ibrahimaj.
Gjatë fjalës së saj, Tabaku ngriti akuza për mungesë transparence në lidhje me projektet publike dhe menaxhimin e pronës shtetërore. Ajo përmendi konkretisht projektet që lidhen me Pallatin e Kongreseve dhe shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, duke pretenduar se për këto objekte janë planifikuar ndërtime kullash.
Sipas saj, nuk ka transparencë mbi mënyrën se si vendosen këto projekte, si përzgjidhen partnerët privatë dhe mbi çfarë kriteresh garantohet integriteti i tyre. Tabaku ngriti gjithashtu shqetësimin se nuk publikohen bilancet dhe raportet vjetore për projektet e mëdha publike.
“Mbi çfarë parimi është vendosur që Pallati i Kongreseve t’i kalojë korporatës… Cili është inventari i këtyre pronave? Mbi çfarë parimesh bëhen ujditë me privatët dhe si garantohet që nuk ka lidhje me krimin?”, u shpreh ajo, duke theksuar se sipas saj Kryeministri duhet të ishte i pranishëm për të dhënë llogari.
Nga ana tjetër, ministrja Delina Ibrahimaj në përgjigjen e saj sqaroi se qeveria ka ndryshuar qasjen ndaj menaxhimit të pronës publike, duke synuar një rol më aktiv të shtetit në zhvillim ekonomik përmes partneriteteve.
Ajo u shpreh se Korporata e Investimeve Shqiptare është krijuar në vitin 2019 me qëllim që prona publike të trajtohet si një aset zhvillimi dhe jo në mënyrë pasive. Ibrahimaj shtoi se modeli është ndërtuar me asistencë ndërkombëtare dhe bazohet në balancë, kontroll dhe pavarësi institucionale.
Sipas saj, menaxhimi i korporatës realizohet në dy nivele dhe shumica e anëtarëve të bordit janë të pavarur, ndërsa theksoi se vetëm një pjesë e vogël përbëhet nga funksionarë shtetërorë. Ajo shtoi gjithashtu se kjo qasje synon të gjenerojë të ardhura dhe të zhvillojë më tej asetet publike përmes bashkëpunimit me privatët.



