Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar modelin e qeverisjes socialiste, duke e cilësuar atë si një pengesë kryesore për zhvillimin e biznesit në Shqipëri. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se për 12 vite me radhë, rregulli kryesor i kësaj qeverie ka qenë mbingarkesa me taksa, leje dhe licensa, të cilat kanë rënduar biznesin dhe e kanë penguar atë të rritet dhe të depërtojë në tregjet rajonale dhe evropiane.
“Sot biznesi shqiptar nuk ka mundësi të shfrytëzojë potencialin e tij të plotë për shkak të politikave të gabuara të kësaj qeverie. Në vend që të ndihmojë zhvillimin ekonomik, ajo ka krijuar një ekonomi të pakicës dhe privilegjeve,” deklaroi Tabaku.
Ajo theksoi se Partia Demokratike ka një alternativë të qartë për të ndryshuar këtë realitet, duke propozuar një taksë të sheshtë, një kod fiskal të thjeshtë dhe eliminimin e mbirregullimeve të panevojshme që sot janë kthyer në një barrë shtesë për biznesin.
“Ne do të heqim përjashtimet fiskale që krijojnë pabarazi dhe do të rrisim konkurrencën duke çmontuar monopolet dhe kontratat koncesionare të dyshimta. Vetëm në këtë mënyrë bizneset shqiptare do të kenë mundësinë të përballen me sfidat dhe konkurrencën në tregun evropian,” shtoi deputetja demokrate.
Tabaku argumentoi se ekonomia shqiptare ka nevojë për një model të ri ekonomik që të reflektojë nevojat e tregut dhe të mbështesë prodhimin vendas dhe eksportet. Ajo u zotua se programi i Partisë Demokratike do të sjellë një frymë të re për biznesin, duke i dhënë atij mundësinë të zhvillohet pa pengesa artificiale të vendosura nga qeveria aktuale.
“Produktet ‘Made in Albania’ duhet të promovohen dhe eksportet shqiptare të ndihmohen për të konkurruar në tregun ndërkombëtar. Programi i Partisë Demokratike është zgjidhja për një ekonomi të lirë dhe të drejtë, ku biznesi ka hapësirë të rritet dhe të krijojë vende pune,” përfundoi Tabaku.
Teksti:
Në 12 vite qeverisje socialiste, regulli numër një ka qenë vendosja e taksave, lejeve, licensave dhe mbirregullimeve. Pesha e shtetit ka rënë mbi biznesin, duke mos e lejuar atë të shfrytëzojë potencialin e plotë për të hyrë në tregun rajonal dhe evropian.
Kjo situatë ka penguar bizneset shqiptare të zhvillohen, të plotësojnë standardet e cilësisë dhe të forcojnë konkurrencën. Në vend që ekonomia shqiptare të ishte një ekonomi e lirë dhe konkurruese, është shndërruar në një ekonomi të pakicës dhe privilegjeve të lidhura me qeverinë.
Partia Demokratike ka një politikë të qartë: një taksë e sheshtë, një kod fiskal të thjeshtë dhe eliminimin e çdo mbirregullimi që sot është një barrë shtesë për biznesin. Qasja jonë bazohet në thjeshtësinë e sistemit, heqjen e përjashtimeve dhe rritjen e konkurrencës, duke çmontuar të gjitha monopolet që janë krijuar përmes kontratave koncesionare.
Hapja e tregut dhe lehtësimi i barrës shtetërore mbi biznesin do të ndihmojë sipërmarrjet shqiptare të përballen me sfidat dhe presionin e tregut rajonal dhe evropian. Bizneset shqiptare e meritojnë të rriten, të dalin nga ngërçi i vendosur nga sistemi socialist dhe të operojnë në një model ekonomik të bazuar në nevojat e tregut të lirë.
Produktet “Made in Albania” duhet të mbështeten dhe eksportet shqiptare, që sot po vuajnë nga ky model ekonomik i dështuar, të ndihmohen për t’u zhvilluar. Paketa dhe programi i Partisë Demokratike i ofron të gjitha këto zgjidhje, por më e rëndësishmja është se ajo i jep frymë biznesit dhe e përgatit atë për sfidat dhe presionet e tregut evropian.