Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për rënien e vazhdueshme të eksporteve shqiptare, duke e cilësuar këtë situatë si tregues të qartë të dështimit të modelit aktual ekonomik.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku thekson se për të shtatin vit radhazi eksportet janë në rënie, ndërsa produktet “Made in Albania” nuk po arrijnë të shiten as në tregjet rajonale dhe as në ato europiane.
Sipas saj, vetëm gjatë këtij viti eksportet kanë shënuar një rënie prej 6.1%, duke ndikuar drejtpërdrejt në tre sektorë kyç të ekonomisë: bujqësinë, industrinë fason dhe energjinë.
“Bujqësia ka tetë vite në stanjacion, fasonët që deri dje eksportonin në tregje ndërkombëtare sot nuk po shesin më, ndërsa sektori i energjisë po goditet rëndë nga mungesa e politikave mbështetëse,” shprehet Tabaku.
Deputetja e PD e lidh këtë situatë me politikat qeveritare, duke përmendur taksa të gabuara, mungesë mbështetjeje për prodhimin vendas dhe zhvlerësimin e euros, i cili sipas saj ka ulur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare me rreth 30% në tregjet ndërkombëtare.
“Rënia e eksporteve nuk është thjesht statistikë, por krizë për biznesin, fermerët dhe familjet shqiptare. Në fund të ditës, kjo reflektohet drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve,” thekson ajo, duke paralajmëruar mbylljen e bizneseve të vogla dhe rritjen e çmimeve për konsumatorët.
Në përfundim, Tabaku bën thirrje për një ndryshim rrënjësor të modelit ekonomik, duke kërkuar një qasje që mbështet prodhimin, ekonominë reale dhe shumicën e qytetarëve.
“Jo modelin aktual, që ka shkatërruar ekonominë shqiptare,” përfundon deputetja demokrate.



