Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, së bashku me deputetë të tjerë të opozitës, ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë zhvilluar diskutime të nivelit të lartë me kongresmenë amerikanë dhe përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor mbi sfidat e reja të sigurisë në një kontekst global gjithnjë e më të ndërlikuar.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku bëri të ditur se gjatë konferencës u theksuan tre shtylla kryesore të sigurisë: siguria ekonomike, procesi i integrimit europian dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike. Sipas saj, këto elemente nuk janë më thjesht politika zhvillimi, por përbëjnë tashmë shtylla themelore të sigurisë kombëtare, veçanërisht për vende si Shqipëria.
Deputetja e PD theksoi se Shqipëria ka shënuar hapa pas në këto drejtime vitet e fundit, duke nënvizuar se këto fusha lidhen drejtpërdrejt me angazhimet e vendit në NATO dhe me besueshmërinë e saj si partnere strategjike e aleatëve perëndimorë.
Tabaku vuri theksin te nevoja për mekanizma të fortë për kontrollin e parasë që qarkullon në ekonomi dhe për orientimin e investimeve drejt burimeve perëndimore, duke shmangur çdo kompromis që mund të cenojë sigurinë kombëtare.
Duke iu referuar skandaleve të fundit që lidhen me sigurinë e të dhënave personale dhe infiltrimin e rrjeteve kriminale, ajo paralajmëroi se këto zhvillime dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë dhe rrezikojnë marrëdhënien afatgjatë të partneritetit me aleatët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në përfundim, Tabaku bëri të ditur se nga të gjithë pjesëmarrësit e forumit u përcoll një thirrje e fortë dhe e qartë për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, një mesazh që, sipas saj, gjen mbështetje të gjerë si nga administrata amerikane ashtu edhe nga Kongresi i SHBA-së.



