Deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Jorida Tabaku, ka reaguar mbi ecurinë e procesit të integrimit europian, duke e cilësuar momentin aktual si një “ditë llogarie” për Shqipërinë.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se vendi ndodhet në një fazë kyçe, ndërsa ende nuk ka marrë një sinjal pozitiv nga COELA dhe në pritje të zhvillimeve lidhur me IBAR.
Sipas saj, ky është një moment prove ku nuk mjaftojnë deklaratat politike, por kërkohen rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve, vlerave dhe normave europiane.
Tabaku identifikon tre çështje kryesore që, sipas saj, përcaktojnë këtë fazë. Së pari, ajo ngre shqetësimin për korrupsionin, të cilin e cilëson si sistemik, duke pretenduar se përmes vendimmarrjes dhe legjislacionit është krijuar një model që lejon shpërndarjen e pasurisë publike pa garë dhe pa meritë.
Së dyti, deputetja ndalet te funksionimi i shtetit të së drejtës, duke vënë në pikëpyetje barazinë përpara ligjit dhe duke paralajmëruar për ndërhyrje të mundshme në legjislacion që mund të ndikojnë proceset hetimore.
Në aspektin ekonomik, Tabaku thekson hendekun mes Shqipërisë dhe Bashkimi Europian, duke nënvizuar se të ardhurat e qytetarëve shqiptarë mbeten rreth 20% e mesatares së BE-së, ndërsa çmimet kanë arritur në rreth 60%, një disproporcion që, sipas saj, rëndon jetesën.
Në përfundim, ajo komentoi edhe qëndrimin e kryeministrit ndaj drejtësisë, duke shprehur skepticizëm për ndryshimet në retorikë. Duke përdorur shprehjen “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, Tabaku la të kuptohet se sjelljet e përkohshme nuk garantojnë një qasje të qëndrueshme ndaj institucioneve të drejtësisë, veçanërisht në një moment vendimtar për integrimin e vendit.



