Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një shkrimi në rrjetet sociale duke kritikuar qeverinë për propagandën e saj rreth pagës mesatare 900 euro.
Tabaku tha se prej një viti qytetarët janë bombarduar me premtime, studio televizive dhe spote promovuese, por përballja me realitetin është krejt ndryshe. Ajo theksoi se, sipas të dhënave të INSTAT, një familje me të ardhura mesatare shpenzon rreth 96 mijë lekë në muaj, pa përfshirë qiranë.
Deputetja solli disa shembuj konkretë: paga minimale është 40 mijë lekë, çka do të thotë se dy paga minimale arrijnë vetëm 80 mijë lekë. Hendeku prej 16 mijë lekësh çdo muaj, sipas saj, është i pamundur për t’u mbuluar nga shumica e familjeve.
Ajo shtoi se 40% e të ardhurave të qytetarëve shkojnë vetëm për ushqime e bukë, ndërsa qiratë, edhe larg qendrës, nisin nga 45 mijë lekë. Shtuar këtyre janë transporti, faturat, arsimi dhe shëndeti, çka bën që “llogaria të mos dalë në fund të muajit”.
Tabaku akuzoi qeverinë se ka mbrojtur monopolet dhe sistemin e pandershëm të taksimit, ndërkohë që buxheti i shtetit punon vetëm për interesat e socialistëve. “Familjet shqiptare po paguajnë propagandën, rritjen e çmimeve dhe korrupsionin, ndërsa shtresa e mesme po largohet jo për luks, por për jetesë”, u shpreh ajo.
Sipas deputetes demokrate, premtimi për rritjen e pagës mesatare në 900 euro nuk është reflektuar në jetën reale, ku shpenzimet e përditshme janë bërë të papërballueshme për shumicën e familjeve shqiptare.