back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 12 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuAktualitetTabaku: Sistemi i korruptuar i mazhorancës po varfëron shqiptarët

Tabaku: Sistemi i korruptuar i mazhorancës po varfëron shqiptarët

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mbajti sot një fjalim në Kuvend, duke kritikuar mazhorancën socialiste për ndërtimin e një sistemi të pandershëm ku humbet I drejti dhe fiton i forti.

Në fjalën e saj, Tabaku vuri në dukje ndikimin e thellë të korrupsionit te pensionistët dhe punonjësit, të cilët po përballen me kosto jetese të larta dhe paga që nuk përballojnë as nevojat bazë. Ajo theksoi se pensionet mbeten të pamjaftueshme për një jetesë dinjitoze, ndërsa pagat në sektorin privat nuk rriten për shkak të sistemit të korruptuar që favorizon vetëm një grusht oligarkësh.

“ Pensionistët shqiptarë blejnë bukën me çmime europiane, por marrin pensione shqiptare. Kjo është pasojë direkte e korrupsionit që ka mbytur ekonominë. Në të njëjtën kohë, sektori privat nuk ka mundësi të rrisë pagat për punonjësit, sepse çdo tender, çdo prokurim dhe çdo koncesion është i kapur nga një grup individësh, ” tha Tabaku.

Tabaku theksoi se korrupsioni, i përhapur në çdo nivel të sistemit, është bërë shkaku kryesor i varfërisë së familjeve shqiptare. Ajo nënvizoi se mazhoranca ka ndërtuar një sistem ku pushteti përdoret për të mbrojtur interesat personale, ndërsa qytetarët vuajnë pasojat e një ekonomie të dominuar nga monopolistë dhe abuzime.

“ Ky sistem korruptiv nuk ka vetëm një kosto ekonomike për shqiptarët, por edhe një kosto shoqërore. Po humbasim besimin e qytetarëve dhe po rrënojmë shpresën për një të ardhme më të mirë, ” tha Tabaku. Tabaku paralajmëroi se korrupsioni jo vetëm që ka ndikuar negativisht në ekonominë shqiptare, por ka shkatërruar edhe shpresën e qytetarëve për të ndërtuar një jetë më të mirë në vendin e tyre. Ajo bëri thirrje për reforma urgjente që do të garantojnë një shpërndarje të drejtë të të ardhurave dhe rritje të pensioneve e pagave.

Në përfundim, deputetja e PD-së bëri thirrje për një ndërgjegjësim kombëtar dhe një angazhim të fortë për të luftuar korrupsionin dhe për të rikthyer drejtësinë në Shqipëri. Ajo u shpreh e bindur se vendi ka nevojë për një sistem të ri dhe të drejtë, që garanton sundimin e ligjit dhe një ekonomi të lirë nga korrupsioni. “ Shqiptarët meritojnë një sistem që i shërben atyre, jo një mazhorancë që përdor ligjin për interesat e saj personale, ” përfundoi Tabaku.

Fjala e Tabakut

Të nderuar kolegë,

Sot, Parlamenti duhet të ishte mbledhur për të diskutuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mbas raportit të Komisionit të Venecias që erdhi në Parlament me kërkesë të Kryetares. Në fakt, kjo kërkesë nuk duhej bërë, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe i detyrueshëm. Duhej të ishte një çështje e tejkaluar, por fatkeqësisht nuk është kështu.

Është për të ardhur keq që, në tre vitet e fundit, kemi qenë të detyruar të kërkojmë zbatimin e standardeve bazë të demokracisë, ndarjes së pushteteve dhe respektimit të ligjit. Shqipëria, një vend që ka hapur negociatat për anëtarësim në BE, sot është kthyer në një debat të viteve ‘90. Po diskutohet nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen apo jo dhe nëse ndarja e pushteteve respektohet. Ky është një regres i turpshëm për një vend aspirant për Bashkimin Europian.

Rregullat e bashkëjetesës parlamentare janë hartuar në mënyrë të njëanshme dhe vendimet e gjykatave injorohen. Kjo sjellje abuzive dhe arrogante ka krijuar një cikël të përhershëm problemesh, ku pushteti përdoret vetëm për ta mbajtur dhe riprodhuar vetveten.

Ndërkohë që Parlamenti sillet sikur gjithçka është normale, Shqipëria përballet me një krizë të thellë ekonomike. Kjo krizë nuk buron vetëm nga statistikat, por nga një sistem i ngritur mbi korrupsionin.

Pak ditë më parë, dëgjuam propagandën e qeverisë për rezultate të jashtëzakonshme dhe një plan të ri kundër korrupsionit. Realiteti? Një komision i posaçëm që i heq funksione komisioneve të përhershme dhe një listë ekspertësh të paguar me shpërblime marramendëse, duke përjashtuar çdo procedurë transparente. Kjo qasje e korruptuar është kthyer në standard dhe normë.

Korrupsioni ka një kosto të drejtpërdrejtë për tryezën e çdo familjeje shqiptare. Buka blihet me çmime europiane, por pagat dhe pensionet mbeten shqiptare. Një pensionist sot përballet me të ardhura të pamjaftueshme për të mbijetuar. Si mundet një familje e zakonshme të ketë një jetë dinjitoze kur 40-50% e të ardhurave të saj shkojnë për shpenzimet bazë të jetesës?

Rritja e pagave në sektorin publik është bërë vetëm si pasojë e zhvlerësimit të euros, ndërsa sektori privat është i paralizuar nga korrupsioni dhe monopolizimi. Çdo tender, koncesion dhe prokurim është i kapur nga një grusht individësh, duke e penguar sektorin privat që të investojë dhe të rrisë pagat.

Korrupsioni ka shkatërruar jo vetëm ekonominë, por edhe shpresën për të ardhmen. Të rinjtë, përfshirë mjekë dhe profesionistë të tjerë, po largohen masivisht nga vendi. Spitalet në Gjermani po mbushen me mjekë shqiptarë, ndërsa spitalet tona mbeten bosh. Ky është rezultati i një klime mbytëse dhe një sistemi represiv që i ka dëshpëruar shqiptarët.

Shqipëria ka nevojë për një sistem të drejtë dhe transparent, që vendos rregulla të barabarta për të gjithë. Duhet të hiqen përjashtimet ligjore për oligarkët, të eliminohen taksat që favorizojnë monopolistët dhe të miratohet një Kod Fiskal që mbështet shtresën e mesme dhe biznesin e vogël. Unë jam e bindur se Shqipëria mund të ndryshojë dhe do të ndryshojë. Pas vitit 2025, gjërat do të jenë më mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat