Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian po zhvillohet në Shkup, Maqedoni e Veriut, me në fokus Planin e Rritjes për rajonin dhe integrimin drejt tregut të përbashkët europian.
Në fjalën hyrëse, Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, theksoi rëndësinë e momentit për Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar se tashmë ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, ndryshe nga e kaluara.
“Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor,” – tha Kos, duke paralajmëruar se dritarja e mundësisë për anëtarësim nuk do të qëndrojë e hapur pafundësisht.
Duke iu drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Komisionerja Kos përgëzoi Shqipërinë për ecurinë në negociatat me BE-në.
“Shqipëria ka hapur tre klasterë gjatë gjashtë muajve të fundit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të mund t’i hapim të gjithë klasterët këtë vit.”
Komisionerja Kos njoftoi gjithashtu se Mali i Zi ka mbyllur një tjetër kapitull në negociatat për anëtarësim javën e kaluar, një hap që vlerësohet si sinjal pozitiv për të gjithë rajonin.
Në vijim pritet që takimi të përfundojë me një deklaratë të përbashkët politike, ku do të përmblidhen zotimet për zbatimin e Planit të Rritjes dhe përforcimin e bashkëpunimit rajonal me mbështetjen e Bashkimit Europian.