Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me disa prej deputetëve të Vlorë dhe kryetaren e bashkisë, Brunilda Mersini, ku u diskutuan çështjet që lidhen me zhvillimet dhe projektet në qytetin bregdetar.
Takimi u zhvillua në një bar-restorant në zonën e Plazhit të Vjetër dhe erdhi pas qëndrimit të kryeministrit në Dhërmi që prej datës 14 mars. Vizita e tij në Vlorë u fokusua te investimet lokale dhe projektet e ardhshme që synojnë zhvillimin e qytetit.
Në mbërritje, kryeministri Rama u prit nga Erjona Ismaili, ministresha e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, si dhe nga kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini.
Takimi shënon një tjetër hap të qeverisë për të qenë më afër strukturave lokale dhe për të diskutuar drejtpërdrejt me deputetët dhe drejtuesit e bashkisë çështjet që prekin zhvillimin ekonomik, turizmin dhe infrastrukturën e qytetit bregdetar.



