Në takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Europian, Taulant Balla theksoi angazhimin e mazhorancës për të mos ndërhyrë në çështjet e drejtësisë, duke respektuar pavarësinë e institucioneve. Ai njoftoi se Kuvendi do të miratojë një rezolutë që vlerëson rezultatet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar, duke i cilësuar si arritje të rëndësishme dhe duke inkurajuar vazhdimin e punës së saj.
Në fokus ishte edhe reforma zgjedhore, ku Balla kërkoi bashkëpunim ndërpartiak për të adresuar problematikat e zgjedhjeve të 11 majit, të cilat u vlerësuan nga OSBE/ODIHR si konkurruese dhe të administruara profesionalisht. Ai theksoi nevojën që Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore të nisë menjëherë punën, me qëllim që zgjedhjet e ardhshme, përfshirë ato për Parlamentin Europian, të përmbushin standardet më të larta demokratike. Një arritje e veçantë u cilësua pjesëmarrja e diasporës shqiptare, me mbi 200 mijë votues jashtë vendit, si dëshmi e angazhimit të tyre në procesin demokratik.
Fjala e plotë:
Sa i përket deklarimeve për çështjet që lidhen me institucionet e drejtësisë, duhet të jetë shumë e qartë: sa i përket mazhorancës qeverisëse të këtij vendi, ne kurrë, jo sot, as dje, as pardje, as nesër, as pasnesër, nuk do të bëjmë ndonjë deklaratë apo të hyjmë në ndonjë rast dhe për asnjë rast në meritën e një çështjeje të drejtësisë.
Ne, me rezolutën që do të miratojmë nesër në Kuvendin e Shqipërisë, vlerësojmë rezultatet e arritura nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar, si rezultate të mira, dhe nxisim vazhdimin e punës.
Dhe mendoj që apeli im sot këtu është që edhe kolegët e opozitës ta votojnë nesër në Kuvendin e Shqipërisë rezolutën, pikërisht për të treguar se drejtësia nuk është e mirë dhe duhet përshëndetur kur ngre akuza kundër kundërshtarit dhe e keqe kur ngre akuza ndaj kolegut tënd. Mendoj që këtu pastaj ndahen partia dhe Shqipëria.
Dhe jemi në kohën, siç tha kolegia Kokalari dje, që mes partisë dhe Shqipërisë të zgjedhim Shqipërinë.
Në kuptimin që sot Shqipëria ka nevojë që të gjitha palët të punojnë së bashku në rrugën e ribashkimit të Shqipërisë me Europën.
Ndërkohë, sa i përket çështjeve të pushtetit gjyqësor, reforma në drejtësi është historike, sepse ajo hoqi duart e shumicës, pakicës, parlamentit dhe qeverisë nga punët e drejtësisë.
Lidhur me zgjedhjet. Zgjedhjet e 11 majit janë vlerësuar nga OSBE/ODIHR si konkurruese dhe të administruara në mënyrë profesionale.
Të gjitha çështjet dhe ankesat që lidhen me problematikat e konstatuara duhet të jenë detyra e shtëpisë e Kuvendit të Shqipërisë, përmes Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, që t’i adresojë në mënyrë që zgjedhjet vendore të vitit 2027, zgjedhjet parlamentare të prill–majit të vitit 2029, përfshirë këtu edhe zgjedhjet për Parlamentin Europian në Shqipëri, ku do të zgjidhen 9 apo 11 anëtarë të Parlamentit Europian që vijnë nga Shqipëria, të jenë zgjedhje të standardeve më të mira europiane.
Puna duhet të fillojë që nesër në Kuvendin e Shqipërisë, ku duhet të miratojmë, meqenëse këtu janë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe të Partisë së Lirisë, nesër të kemi gati emrat, që të fillojë puna dhe të adresohen të gjitha çështjet që lidhen me reformën zgjedhore.
Kam dëgjuar që kryetari i Partisë Demokratike ka komentuar lidhur edhe me propozimet tona për reformimin e Kuvendit, numrit. Madje ka dalë edhe me një propozim për të pasur një Senat. Le të diskutohen të gjitha këto si pjesë e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Është për t’u përshëndetur fakti që edhe ju, pas propozimit tonë, vini me propozimet tuaja. Të gjitha këto duhen diskutuar.



