Nga 1 janari 2026, qytetarët në disa prej qyteteve më të mëdha dhe turistike të vendit do të paguajnë më shumë për taksën e ndërtesës së banimit, si pasojë e rritjes së çmimeve të referencës për apartamentet. Sipas projektvendimit të propozuar nga Ministria e Financave, ndryshimet do të prekin të gjitha bashkitë në vend, ndërsa efekti më i ndjeshëm do të ndihet në zonat me zhvillim të lartë urban dhe turistik si Durrësi, Vlora, Saranda, Tirana, por edhe qytete si Fieri, Korça apo Shkodra.
Durrësi, Vlora dhe Saranda mes qyteteve me rritje më të lartë
Një qytetar në Durrës që zotëron një apartament 90 m² aktualisht paguan rreth 3,038 lekë në vit për taksën e ndërtesës. Me çmimet e reja të referencës, për zona si ajo pranë Portit, kjo shifër do të shkojë në 9,000 lekë – një rritje prej 196%.
E njëjta tendencë vërehet edhe në Vlorë. Një apartament në Lungomare do të sjellë një taksë prej 4,410 lekë në vit, nga 2,781 që paguhet aktualisht. Ndërkohë në Sarandë, për zonat pranë detit, taksa për një banesë 90 m² do të rritet nga 2,520 në 4,500 lekë në vit, një rritje prej 79%.
Qytetarët në rrethe me rritje më të moderuar
Në qytete të tjera si Elbasani dhe Pogradeci, rritja e detyrimeve është më e moderuar. Për shembull, një banor i Elbasanit në zonën e rrugës “Rinia” do të paguajë rreth 2,700 lekë në vit, nga 2,264 lekë aktualisht – një rritje prej 19%.
Në Pogradec, për zonën pranë stadiumit “Gjergji Kyçyku”, detyrimi do të rritet me 20%, duke shkuar në 2,700 lekë në vit.
Fushë-Arrëzi dhe Kukësi, me detyrimet më të ulëta
Ndryshe nga qytetet e tjera, disa bashki si Fushë-Arrëzi dhe Kukësi do të vijojnë të paguajnë detyrimet më të ulëta në rang vendi. Në Fushë-Arrëz, për një apartament 90 m², taksa do të jetë vetëm 473 lekë në vit, ndërsa në Kukës do të shkojë në 2,610 lekë, nga 2,430 lekë aktualisht.
Sazani përfshihet për herë të parë në hartë
Për herë të parë, ishulli i Sazanit është përfshirë si zonë kadastrale për efekt të llogaritjes së taksës së ndërtesës, pas planeve për zhvillimin e një projekti rezidencial nga kompania Affinity Partners, në pronësi të Jared Kushner, dhëndri i ish-Presidentit amerikan Donald Trump. Detyrimi për këtë zonë do të jetë më i larti në vend, me një rritje prej 224%.
Taksat lidhen me çmimin e referencës
Rritja e taksës vjen si pasojë e ndryshimeve në çmimet e referencës të apartamenteve, mbi të cilat llogaritet vlera e taksës. Në rang vendi, taksa për banesat është 0.05% e vlerës së referencës. Bashkitë kanë të drejtë të rrisin ose ulin këtë normë me 30%, me vendim të këshillit bashkiak.
Në Tiranë, për shembull, ndryshimet e reja u aplikuan që nga gushti 2023. Për pjesën tjetër të vendit, efekti do të nisë nga janari 2026.
Pagesa përmes faturave të ujit
Ashtu si në Tiranë, edhe në qytetet e tjera pagesa për taksën e ndërtesës do të bëhet përmes faturave të ujit të pijshëm. Për apartamentet e privatizuara para viteve ’90, nëse nuk është kryer ndonjë transaksion shitblerjeje, taksa llogaritet mbi 70% të vlerës së çmimit të referencës.



