Administrata Tatimore dhe Administrata Doganore kanë nisur kontrollet në tregun e hidrokarbureve, në zbatim të planit të përbashkët operacional për monitorimin e këtij sektori.
Aksioni i parë u zhvillua në Elbasan, ku u kontrolluan dy subjekte që tregtojnë karburant dhe u identifikuan shkelje të rënda të legjislacionit në fuqi. Sipas autoriteteve, inspektorët ndërhynë pas informacioneve dhe analizës së riskut që ngrinin dyshime për parregullsi.
Fillimisht, aktiviteti i dy bizneseve është monitoruar në distancë, ku u konstatuan dyshime të arsyeshme për shmangie të detyrimeve tatimore dhe doganore përmes përdorimit të dokumentacionit jotatimor.
Më pas, një task-forcë e përbashkët e inspektorëve tatimorë dhe doganorë ka ushtruar kontroll në terren. Nga verifikimet janë konstatuar shkelje të ndryshme, si moslëshimi i faturës tatimore, punonjës të padeklaruar dhe mall pa faturë.
Për këto shkelje janë vendosur penalitete sipas legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, dy subjekteve iu sekuestrua dokumentacion jotatimor, përfshirë 9 blloqe fletë-dalje dhe 9 blloqe mandat-arkëtimi.
Autoritetet bëjnë të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin me qëllim luftën kundër informalitetit, monitorimin e çmimeve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e hidrokarbureve.



